Katër ditë nga fitorja dramatike ndaj ekipit Barsy Atyrau, skuadra e Teutës ka korrur një tjetër fitore të rëndësishme në Ligën Ballkanike ndaj kazakëve në ndeshjen e kthimit, duke mundur me vështirësi në “Ramazan Njala” rivalët me shifrat 81-76.

Ekipi nga Kazakistani zgjodhi qytetin durrsak për të zhvilluar 3 ndeshje brenda një jave, dy prej të cilave ndaj Teutës (i humbi të dyja) dhe një ndaj kosovarëve të Bashkimi (fitoi në mesjavë).

Ndeshja ishte po aq e bukur dhe emocionuese sa ajo e 4 ditëve ë parë, me të dyja ekipet që dueluan fort për ta fituar atë. Madje të dyja sfidat ishin fotokopje të njëra-tjetrës, me kazakët që udhëhiqnin pak minuta nga fundi, por Teuta arrin të përmbysë shifrat, duke marrë një fitore me shumë vlera.

Falë këtij suksesi, ekipi durrsak merr edhe kreun e Ligës Ballkanike, në kuotën e 13 pikëve, po aq sa edhe bullgarët e Academic Bultex. Ndeshja nis e ekuilibruar, ku të dyja skuadrat duelojnë fort në 10-minutëshin e parë, që mbyllet 15-14 në favor të Teutës, periodë ku gabimet janë të shumta.

E njëjta situatë edhe në çerekun e dytë, ku pas shumë barazimesh është ekipi kazak ai që ka një avantazh të lehtë, duke udhëhequr 38-32. Luhatjet në lojë vërehen edhe në 10-minutëshin e tretë, ku durrsakët dalin sërish në krye, duke luajtur mirë me Wilson e Hysenagolli.

Teuta udhëheq 59-54 pas përfundimit të peridoës së tretë, por loja bëhet dramatike në minutat e fundit, me Barsy që nuk dorëzohet dhe duelon fort, madje edhe duke udhëhequr.

Por Teuta, mbështetur edhe nga tifozët e saj, arrin të rikuperojë në fund, duke krijuar një avantazh të lehtë dhe fiton 81-76. Për Teutën ky është suksesi i pestë në Ligën Ballkanike, i dyti radhazi, ku ka edhe 3 humbje. Ndeshja e radhës, më 16 janar ndaj kosovarëve të Bashkimi.