Më datë 31 gusht do të nisë një nga evenimentet kryesore të vitit në basketbollin për meshkuj. Në Kinë do të zhvillohet Kampionati Botëror. Një nga përfaqësueset që ka përgjegjësinë më të madhe për të dhuruar emocione e spektakël është ajo e SHBA.

Greg Popovich nuk ka në dispozicion të gjithë superyjet, madje është një skuadër e përbërë kryesisht nga talente të ndërthurur me basketbollistë me përvojë si Brook Lopez, Kyle Lowry, PJ Tucker e Kemba Walker.

Tekniku i San Antonios ka qenë i detyruar të heqë dorë nga Zion Williamson, Kevin Love, Bradley Beal e Damien Lillard. Me përjashtim të Williamson, 3 të tjerët kanë kërkuar vetë të mos jenë pjesë e eventit, ndërkohë që së fundmi është tërhequr edhe Marvin Begley, që kërkon të përqendrohet tek sezoni i ardhshëm në NBA me skuadrën e Sacramento Kings.

Aktualisht Popovich ka 16 basketbollistë në dispozicion, në listën përfundimtare do të mbeten 12. SHBA-ja mbetet favorite kryesore, me 5 tituj kampion të fituar.