Shumaker rikthehet në pistat e Botërorit të Formulës 1. Të paktën indiciet që vijnë nga merkato e automobilizmit në pritje të sezonit të ardhshëm nënvizojnë pikërisht këtë. Por, nëse nga ish-kampioni i botës nuk vijnë lajme mbi gjendjen e tij shëndetësore, është djali i 7 herë kampionit të botës, Mik Shumaker, ai që mund të jetë pjesë e spektaklit të këtij sporti.

Për 19-vjeçarin, i cili po paraqitet mjaft mirë sivjet në kampionatin F3 të automobilizmit, në të cilin ka arritur edhe dy fitore, e fundit në Nurburgring, fundjavën e kaluar është vënë në shënjestrën e skuderisë “Toro Rosso”. Kontaktet mes palëve kanë nisur dhe mbi të gjitha, Mik Shumaker e ka të sigurt marrjen e “superpatentës” për të garuar në Formula 1, duke qenë se tashmë ai i ka marrë 20 pikë nga 40 të nevojshmet, që nevojiten për të kaluar në elitën e automobilizmit.

I vetmi ngërç i kësaj tratative mes Mik Shumaker dhe skuderisë “Toro Rosso” qëndron në faktin se familja dhe menaxheri i tij shtyjnë që djali i legjendës së këtij sporti të mos nxitojnë hapat për të kaluar në Formula 1, teksa për sezonin e ardhshëm, plani i tij më i sigurt duket një pjesëmarrje në Formula 2 me skuderinë e tij aktuale, “Prema”.