Teuta shkon në finalen e parakohëshme ndaj Vllaznisë me probleme të shumta. Humbja në Korçë ndaj Skënderbeut nuk ka lënë gjurmë tek futbollistët pasi nuk mendohej kualifikimi në një duel të tillë, madje shihej si një sfidë në të cilën trajneri i ri Gentjan Begeja duhet të kolaudonte grupin.

Por debutimi në kampionat do të vijë me probleme për numrin një të stolit, pasi duhet të bëjë llogaritë me mungesën e mesfushorit Ardit Hila. 25- vjeçari nga Elbasani u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 43 të sfidës ndaj Luftëtarit, duke plotësuar kështu numrin e 4 kartonave të verdhë.

Mungesa e Hilës në mesfushë është një minus i madh për trajnerin Begeja, pasi shihet si një pikë referimi në këtë repart dhe një futbollist i rëndësishëm në ndërtimin e manovrës sulmuese por edhe në fazën mbrojtëse.

Megjithatë lajmi i mirë për numrin një të stolit durrsak është rikthimi me grupin i fantazistit boshnjak Anel Dedic. 26-vjeçari mungon prej ndeshjes së fundit të vitit të shkuar ndaj Skënderbeut më 22 dhjetor, teksa duket të ketë lënë pas dëmtimin që e la kaq gjatë larg fushave. Megjithatë autori i 5 golave në kampionat nuk është i gatshëm për të nisur nga fillimi, por shihet si një alternativë e çmuar në stol.

Gjithashtu lajme të mira vijnë edhe nga mbrojtësi Ante Hrkac, që u largua në sfidën e Kupës ndaj Skënderbeut në pjesën e parë, teksa dëmtimi i tij nuk ka qënë serioz dhe pritet të luajë rregullisht në Loro Boriçi.