Dalja e fundit publike dhe zyrtare e Bernard Arno, lidhur me blerjen e mundshme të Milanit, tashmë daton 5 muaj më parë, një përgënjeshtrim që kishte konfirmuar edhe mohimet e muajve të mëparshëm.

Por, sipas burimeve të së përditshmes prestigjioze italiane “Repubblica”, në ambientet ekonomike ndërkombëtare nuk reshtin së vërshuari zërat edhe mbi një takim kokë më kokë mes Bernard Arnosë dhe Gordon Singerit, presidentit të fondit “Elliott”, që aktualisht ka në pronësi kuqezinjtë, për të biseduar blerjen e mundshme.

Shifrat? Njësoj siç ishin përfolur, afro 1 miliard euro për 100 për qind të aksioneve dhe me Alegrin dhe Braidan si “kapitenët” e zonës teknike dhe asaj drejtuese, të projektit të ri. Intriga kuqezi luhet në tri tavolina.

Në Paris, ku ka selinë padroni i kompanisë së veshjeve së “Louis Vuitton”; në Londër, ku pozicionohet selia angleze e fondit “Elliott”; por edhe në Salcburg, ku burime pranë “Red Bull”-it sigurojnë se Ralf Rangnik ka përshëndetur të gjithë dhe është bërë gati për transferimin drejt Milanos.

“Ndeshja” në fjalë rrezikon që të bëhet disi e rrezikshme edhe brenda vetë klubit kuqezi, duke qenë se pronarët aktualë vënë bast fort mbi Rangnikun, si figurën që përveç stërvitjes të bëjë edhe merkaton e skuadrës, duke parë edhe kurrikulumin e tij të pasur me suksese në zbulimin e talenteve.

Por nëse klubi kalon në pronësi të Arno, Ralf Rangnik rrezikon të mbetet i papunë, por me një dëmshpërblim të majmë. Kjo, për arsyen se merkatoja do të ishte detyrë e Ariedo Braidas, që do të rikthehej në radhët e “Djallit” pas afro 1 dekade mungesë, i cili do të kërkojë me çdo kusht t’ia besojë skuadrën Masimiliano Alegrit, për të ndërtuar një linjë dyshe ish-ësh, që e njeh mjaft mirë ambientin dhe atë që kërkon dhe meriton Milani.

Fundja, nëse padroni i “Louis Vuitton” vendos që të investojë në qytetin e modës dhe të luksit, pretendon që përveç lulëzimit të mëtejshëm të markës së tij të lulëzojë edhe investimi në futboll.

Jo vetëm sepse klubi i tij quhet Milan dhe ka një histori marramendëse suksesesh, por sepse bëhet fjalë edhe për një investim prej 1 miliard eurosh, plus një bonus i dytë prej 400-500 milionësh të tjerë, për të bërë disa goditje të para të rëndësishme dhe që të dinë të shtyjnë përpara dhe sa më shpejt projektin “Arno-Milan”.