Njeriu më i pasur në Afrikë, Aliko Dangote ka zbuluar planet e tij për të blerë Arsenalin në vitin 2021. Tifozi miliarder i “Topçinjve” është i vendosur për të hequr pronarin aktual Stan Kroenke.

Nigeriani krenohet me pasurinë e tij që arrin një vlerë neto prej më shumë se 8.5 miliardë paundësh, të cilën e zhvilloi pasi themeloi firmën “Dangote”, prodhuesin më të madh të çimentos në Afrikë.

62-vjeçari zotëron gjithashtu aksione në kompanitë e prodhimit të kripës, sheqerit dhe miellit. Ai kishte premtuar se do të bënte një ofertë blerjeje në vitin 2020, por për shkak se po ndërton “Rafinerinë Dangote” (një nga rafineritë e naftës ndër më të mëdhatë në botë), e shtyu një vit blerjen e Arsenalit.

Zhgënjimi i tifozëve të Arsenalit me pronarin e tanishëm Stan Kroenke ka vijuar për vite me radhë. Njëkohësisht edhe pronar i Denver Nugget dhe LA Rams ai rrallëherë shfaqet në “Emirates”.

Tifozët me siguri do ta mirëpresin një ndryshim të pronësisë, dhe “Dangote” mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e të drejtuarit të Arsenalit, duke shpenzuar më shumë para.

“Është një ekip që unë do të doja të blija një ditë, por ajo që unë vazhdoj të them është që ne kemi projekte me vlerë 20 miliardë dollarë dhe kjo është ajo në të cilën vërtet dua të përqendrohem”, – tha Dangote në një prononcim të fundit. 

“Unë po përpiqem të përfundoj ndërtimin e kompanisë dhe pastaj, pasi të kemi mbaruar, mbase në vitin 2021 do të mund ta blejmë Arsenalin. Do ta blej Arsenalin kur të përfundoj të gjitha këto projekte, sepse jam duke u përpjekur ta çoj kompaninë në nivelin tjetër”.