Katër ndeshje rad hazi pa fitore në kampionat dhe Teuta duket se është hipnotizuar nga barazimet. Kur pritej kthesa e madhe ndaj Kamzës, durrsakët nuk shkuan më shumë se rezultati 0-0 në “Niko Dovana”. Ndeshja e radhës është ndaj Kukësit sërish në shtëpi dhe presidenca e Teutës pret reagimin e menjëhershëm. Mirëpo, drejtuesit nuk kanë ndërmend të vendosnin nën presion ekipin.

Aksioneri Ardian Bardhi tregon arsyet pse skuadra ka vuajtur në javët e fundit, ndërsa konfirmon besimin te trajneri Shkëmbi.

Zoti Bardhi, Teuta duket sikur ka harruar të fitojë. Katër ndeshje radhazi që kanë përfunduar në barazim, si e shpjegoni?

Ne jemi një skuadër në rritje dhe tani që vijmë pas periudhës së pauzës, mendoj se ekipi ende nuk ka kapur ritmin. Kemi kryer një merkato të mirë, por lojtarët nuk kanë pasur fatin për të luajtur, disa prej dëmtimeve dhe tjerë për shkak të formës. Mendoj se këto kanë ndikuar në këtë ecuri. Pra, kemi vuajtur, sepse Teuta nuk ka qenë asnjëherë e plotë. Presim të gjithë që ekipi të kompletohet dhe normalisht të rikthehemi te fitoja duke filluar nga ndeshja e radhës.

A keni pasur një mbledhje për të analizuar këtë situatë dhe çfarë nuk shkon në ekip?

Ne si presidencë jemi të kënaqur me punën e stafit teknik dhe lojtarëve. Trajneri Shkëmbi ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë për të vazhduar punën i qetë. Jo vetëm ai, por të gjithë në ekip. Skuadra ka zhvilluar një ecuri të mirë, të kënaqshme deri në këtë pikë të sezonit dhe është brenda objektivit që ne kemi vendosur në fillim.

Mos ndoshta goditjet e bujshme në janar dhe fakti që mund të pretendonit edhe për titull kanë ndikuar disi për keq në ekip?

Të presim, llogaritë nuk bëhen tani, por në fund. Ka ende kohë për të thënë se me çfarë kënaqemi, por gjithmonë do të kërkojmë maksimumin, pra edhe më shumë se vendi i tretë. Skuadra po luan, prodhon goxha dhe natyrisht do jap frytet e saj. Gjithmonë presim në fund, rëndësi ka që skuadra të shprehë futbollin e saj dhe të marrë rezultatet.

Thatë që skuadra duhet të rikthehet te fitorja. Të premten do të luani kundër Kukësit në Durrës, si e shihni këtë takim?

Pres vetëm fitore, asgjë tjetër…

OK, por do të luani me një kundërshtar që në dy fazat e para Teuta i ka marrë vetëm një pikë…?

Nuk ka rëndësi emri i kundërshtarit, të gjithë janë të fortë apo të vështirë për t’i mundur. Edhe Kamza është në vendin e fundit, por tregoi se është ekip i fortë. Edhe Kukësi u mund nga Tirana. Besoj se Teuta do të jetë më e plotë në këtë ndeshje, pasi do luajnë edhe blerjet e reja. Me kompletimin e skuadrës, Teuta do të rikthehet akoma më e suksesshme, duke nisur nga ndeshja e ardhshme.