Teuta pasi u kthye, nuk ka më në plan të ndalet. Edhe pse kjo javë i çon në një transfertë të vështirë, durrsakët janë të bindur se do ia dalin në Korçë. I këtij mendimi është edhe Albano Aleksi.

Mesfushori vlerëson Skënderbeun për atë çka ka dhënë dhe nuk i beson aspak renditjes, por në fund i paralajmëron se do t’i marrin pikët. 27-vjeçari analizon gjendjen e ekipit pas fitores me Vllazninë.

Pas fitores me Vllazninë, mund të themi se Teuta u kthye?

Ishte fitore e rëndësishme, por në të njëjtën kohë edhe detyrim. Po e kalojmë dalëngadalë “ngërçin” që na ka zënë. Duhet të jemi të kujdesshëm, nuk është momenti të fluturojmë. Do të jetë një luftë e hapur deri në fund dhe gjithçka do të jetë tejet e vështirë për ekipin tonë. Vetëm nëse do të vlerësojmë çdo takim maksimalisht, atëherë mund të jemi lart në renditje.

Erdhën edhe golat që aq shumë ju mungonin…

Të them të drejtën, jemi çliruar totalisht dhe ndihemi shumë të qetë. Të gjithë kënaqemi kur shënojmë. Është mirë që ekipi të fitojë, pavarësisht nëse shënojmë një apo më shumë gola. Në këtë moment të kampionatit më me rëndësi janë pikët. Kjo na bën më të lumtur.

Teuta udhëton në Korçë. Si e parashikoni këtë javë?

Është një sfidë që i ka të tria rezultatet brenda. Luajmë kundër një ekipi mjaft cilësor, pavarësisht renditjes. E respektojmë Skënderbeun për atë çka ka bërë gjatë dekadës së fundit në futbollin shqiptar. Këtë nuk e them për të justifikuar ndonjë rezultat negativ të mundshëm, pasi objektivi i Teutës mbetet triumfi.

Do ishit i kënaqur me një barazim ndaj Skënderbeut?

Nuk kënaqem kurrë me barazimin. Teuta i ka lojtarët, madje shumë cilësorë dhe gjithashtu shpirtin e duhur për të tentuar maksimumin në çdo përballje.

Çfarë i ka munguar skuadrës në këto 22 javë?

Nuk di të them, pasi nuk është diçka e prekshme. Teutës nuk i mungon asgjë për të marrë një trofe, duke e krahasuar me ekipet e tjera që pretendojnë. Thjesht skuadra duhet të tentojë ta godasë më shumë portën dhe të jetë e përqendruar në çdo aksion. Kjo mund të jetë diçka që duhet të korrigjohet.

Kur do ta rimarrë vendin e tretë Teuta?

Objektivi ynë primar është arritja në Kupat e Europës. Për synimet e tjera, gjithçka do të varet nga takimet direkte.