Në kampin durrsak, përgatitjet e deritanishme kanë shërbyer, veç të tjerash, edhe që në skuadër të mbizotërojë optimizmi. Diçka e tillë vihet re edhe në deklaratat e futbollistëve apo të anëtarëve të klubit.

Teuta ka pësuar jo pak ndryshime gjatë verës sa i takon grupit të futbollistëve, por sërish titullarët e saj besojnë se skuadra është gati për sfidën me Ventspilsin.E thotë këtë edhe mesfushori Albano Aleksi, sipas të cilit, Teuta është e kompletuar dhe të gjithë duan ta kalojnë me sukses këtë tur.

Aleksi, do të luani sërish në Europë dhe për të dytin vit radhazi ndaj Ventspilsit. Cili është perceptimi i parë që keni për këtë kundërshtar?

Bëhet fjalë për një ekip shumë të fortë. Siç pritet një kundërshtar në të tilla kompeticione. Megjithatë, ky ishte ekipi më i lehtë në vazo, duke parë edhe emrat e tjerë që mund të kishim përballë. Por, të jem i sinqertë, ndaj Ventspilsit do të na duhet të djersitim shumë në fushën e lojës për të marrë një rezultat pozitiv.

Si është përgatitur ndeshja në këtë periudhë?

Jemi duke u stërvitur shumë mirë në Durrës pas fazës përgatitore dhe tani po zhvillojmë një seancë stërvitore në ditë. Për fat, jemi mirë fizikisht dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit.

E njihni më mirë kundërshtarin, edhe pse ka ndryshime nga vjet. A mund t’ia dalë Teuta që ta kalojë?

Po, unë besoj te grupi që kemi dhe shpresojmë që të bëjmë më të mirën. Këtë e kemi treguar edhe gjatë fazës përgatitore. Jemi stërvitur shumë mirë dhe me ngarkesë të lartë, ndaj shpresoj që në të dyja ndeshjet të kemi mundësi të tregojmë më të mirën tonë. Në fund, me shpresë të Zotit ta kalojmë.

Me aq sa e njihni Ventspilsin, cila është pika më e fortë e tyre?

Për mendimin tim, pika e tyre më e fortë është grupi, pasi sulmojnë të gjithë bashkë dhe mbrojnë të gjithë bashkë. Pavarësisht disa afrimeve që kanë bërë, ne do të shkojmë atje për të marrë një rezultat pozitiv dhe për t’u treguar atyre që në futboll nuk ka pika të forta.

Çfarë ju ka thënë trajneri Shkëmbi për kundërshtarin dhe si e keni analizuar?

Dua të them që kjo i përket stafit teknik, por trajneri Shkëmbi ka punuar shumë mirë deri tani. Për më tepër, shpresoj që të marr akoma informacion për atë ekip që edhe ne ta kemi punën më të lehtë dhe të japim më të mirën në fushë.

Si i shikoni ndryshimet te Teuta në këtë merkato?

Deri në këto momente që po flasim, merkatoja ka qenë shumë e mirë dhe mendoj që stafi teknik ka bërë një punë të mirë në zgjedhjet e tyre. Por, kjo do të vërehet në vazhdim kur të fillojë edhe kampionati dhe shpresoj që stafi teknik të bëjë akoma zgjedhje të duhura nëse i duhen ende lojtarë apo nëse do të rezultojë që të mos jenë të kënaqur me këta që kanë ardhur deri tani.

Si duhet të sillet skuadra në fushë që të kualifikohet?

Teuta duhet të sillet tamam si një ekip futbolli dhe të gjithë lojtarët duhet të kenë besim te vetja e tyre, që mund ta kalojmë këtë ndeshje. Dhe unë besoj te këta çuna me aq sa kam parë deri tani, pavarësisht se kam një kohë të shkurtër që i njoh. Por, me disa prej tyre kam luajtur dhe i njoh më përpara sesa të vija këtu. Shpresoj që të gjithë të jemi duke bërë një punë të mirë me dëshirën që kemi secili për ta kaluar ketë tur, të mund t’ia dalim.

Jeni një nga titullarët. Me kë ndiheni më mirë në fushë?

Shpresoj që me të gjithë çunat të ndihem mirë, por kjo varet nga stafi teknik se kush do të mund të luajë.