Albano Aleksi është ndër ata që stërvitjen është munduar të mos e shkëpusë dhe tashmë që ka mundësinë të përgatitet me kapacitet të plotë me Teutën e tij, i ka bërë një rezyme periudhës së vështirë që për fat të mirë duket se i përket së shkuarës.

“Prisja me padurim që të fillonim kampionatin dhe tani mund të vazhdojmë aty ku e lamë. Shokët e ekipit i shikoja gjithmonë nga larg, por flisnim vazhdimisht dhe mezi prisnim të fillonim stërvitjen”, deklaroi mesfushori.

Prej disa ditësh seancat stërvitore i janë kthyer normalitetit ku gjithë grupi është përgatitur së bashku dhe kjo po ndikon jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht tek futbollistët.

“Kemi kaluar gjithçka dhe i jemi rikthyer harmonisë si më parë. Jemi një grup i bashkuar dhe duam të arrijmë objektivin, që janë kupat e Europës”, tha Aleksi.

Trajneri Edi Martini dhe kapiteni Arapi e përcaktuan objektivin, Teuta kërkon vendin e dytë, kurse Albano Aleksi nuk ka dëshirë ta vendosë flamurin e objektivi, por fshihet te shprehja rutinë “t’i marrim ndeshjet me radhë”.

“Edhe unë besoj në atë që tha trajneri, për arritjen e vendit të dytë, por e rëndësishme është që të marrim ndeshjet me radhë dhe të shohim deri ku mund të shkojmë”, u shpreh Albano Aleksi.