Allegri mund të rikthehet në stolin e Milanit sezonin e ardhshëm. Lajmin e konfirmon e përditshmja italiane "Tuttosport", që shprehet se mund të kemi një rikthim të bujshëm të trajnerit në stolin e skuadrës kuqezi, ku do të zëvendësojë Gennaro Gattuso (asokohe e ka patur lojtar te kuqezinjtë).

Allegri (sot zhvillon ndeshjen e fundit me Juventusin) e ka drejtuar edhe më parë Milanin, në sezonet 2010-2014, duke fituar edhe një titull kampion në Serinë A.

Më pas, trajneri 51-vjeçar la Milanin për t’u transferuar te Juventusi. Gjithsesi, këtë verë Allegri mund të bëjë rrugën e kthimit për në Milano.

Gjithçka do të varet nga kualifikimi i Milanit në Champions League dhe nga skuadra që do të ndërtohet. Sipas mediave italiane, ditët e shkuara ka patur një takim me Allegri dhe Ivan Gazidis (shefi ekzekutiv i Milanit). Trajneri nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, por ka kërkuar kohë për të vendosur.