Amadu Latif largohet zyrtarisht nga Teuta. Klubi durrsak, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare njofton përfundimin e bashkëpunimit me Amadu Latif.

Sulmesi dhe drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin marrëveshjen mes palëve. Klubi durrsak falënderon Amadu Latif për kontributin e dhënë me fanellën e Teutës, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në karrierën e tij sportive.

Kujtojmë që Latif ka qenë pikë referimi në sulmin e skuadrës së drejtuar nga Bledi Shkëmbi, sidomos gjatë pjesës së parë të sezonit, kur ishte golashënuesi më i mirë i Superiores.

Në 27 ndeshje në total me Teutën në kampionat, ka mundur të realizojë 9 gola. Çuditërisht, asnjë nga golat e tij nuk është realizuar gjatë vitit 2019. Kujtojmë që gjatë merkatos së janarit drejtuesit e Teutës afruan Tomislav Busicin dhe Armando Vajushin për sulmin.