Teuta do të ketë 3 pikë të sigurta këtë fundjavë, falë përballjes që rezervon kalendari me Kamzën, mirëpo gjithçka ka ndodhur së fundmi, ka bërë që në kampin durrsak të lëkunden themelet e ndërtuara për objektivin madhor të sezonit.

Të shkosh në Ligën e Europës kur edicionin paraardhës ke garuar deri në metrat e fundit për të qëndruar në Kategorinë Superiore, është një arritje që meriton medalje. Megjithatë, një grimcë zhgënjimi duhet të ketë te Teuta nëse kjo skuadër nuk e mbyll në shkallën më të lartë të podiumit. 

“Një skuadër që kërkon Europën, nuk mund të gabojë kaq shumë”, ishin fjalë kuptimplota dhe askush nuk mund t’i kundërshtojë, të artikuluara nga vetë trajneri Bledi Shkëmbi.

Një pjesë e futbollistëve kanë shumë pak përvojë dhe në çastin kur skuadra është në rrjedhë pozitive, përfshihen nga euforia. Lojtarët me eksperiencë gjithnjë kanë kërkuar të qëndrojnë me këmbë në tokë, por ndonjëherë fjalët nuk mjaftojnë.

Nuk është absolutisht dramë të humbësh ndaj Tiranës, por shanset ishin aty. Në fakt janë ende për të siguruar Europën. Viti 2019 duket se në njëfarë mënyre e bëri skuadrën bregdetare të zbehë gjithçka të mirë ka treguar që nga starti i sezonit. 3 humbje, madje njëra prej tyre e thellë kundër Laçit, më pas disfata ndaj Partizanit e së fundmi kundër Tiranës.

Çfarë po ndodh me “djemtë e detit”?!

Fakt është që duken të dorëzuar atëherë kur duhej të “shtrëngonin dhëmbët” për të përballuar betejat e fundit dhe më të rëndësishmet. Vetë aktorët e kanë të vështirë ta shpjegojnë këtë situatë. Si po thërrmohet në këtë mënyrë një urë e ndërtuar me shumë vështirësi gjatë dy fazave të para.

Liga e Europës, e cila qëndronte në “breg të Adriatikut” prej shumë javësh, duket se po përpihet nga valët e detit dhe te Teuta ende nuk po e kuptojnë që kështjella e ndërtuar po shkatërrohet përpara syve. Teuta duhet të zgjohet sa nuk është ende vonë, ndryshe rrezikon të shndërrojë një sezon mjaft pozitiv në zhgënjim.