Teuta ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa ditën e mërkurë ka mposhtur minimalisht Kastriotin, në ndeshjen e zhvilluar në Kamzë.

Teuta ruan vendin e dytë, me 26 pikë, 9 pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë. Në këtë moment Renato Arapi nuk fshihet. Kapiteni i Teutës, thotë ndër të tjera se kishte parashikuar të paktën 32 pikë pas 15 ndeshjeve të para.

Mbrojtësi cilëson Vllazninë si ekipin pretendent deri në fund , kjo edhe për shkak të pikëve që ka marrë deri tani. Arapi thekson se janë edhe shumë pikë në lojë dhe beson se Teuta do t’ia dalë në fund.

Si e keni parë sezonin e Teutës deri më tani dhe a keni ndonjë peng për mënyrën si kanë shkuar gjërat?

Pengje ka gjithmonë në sport sepse gjithmonë ka vend për të përmirësuar. Nuk dua të ndalem tani sepse është herët dhe llogaritë bëhen në fund.

Sa pikë më tepër mendoni se mund të kishit pas gjithë atyre barazimeve dhe cila është ndeshja që ju ka mbetur në mendje?

Mendoj se minimalisht duhet të kishim 6 pikë, por ndeshja e parë me Skënderbeun na ka ngelur peng për mënyrën si shkoj, pasi përveç rasteve të shumta që kishim, po të na ishte akorduar ai 11- metërsh, do ta nisim sezonin me fitore dhe kjo mund të ndikonte për mirë për pjesën në vazhdim.

Keni pësuar vetëm 6 gola, duke qenë mbrojtja më e mirë e kampionatit deri tani. Ju kënaq kjo statistikë apo sërish ju vjen keq për ndonjë rast që mund ta kishit evituar?

Po sigurisht që na vjen mirë që nuk kemi pësuar shumë gola . Të gjithë kanë meritë në këtë arritje. Nuk mbrojtje të mirë pa pasur edhe mbështetjen e mesfushës, por siç e thash më lart gjithmonë ka pengje për mënyrën se si mund të kemi vepruar në ndonjë rast. Por falë forcës së gjithë ekipit kemi bërë një punë të mirë deri tani.

Fitorja me Kastriotin e mbajti sërish diferencën me Vllazninë. Si e shikoni garën për titull dhe a besoni se mund t’i arrini shkodranët?

Vllaznia sigurisht që meriton komplimente për atë çfarë ka dhënë deri tani. Por mos të harrojmë që janë edhe 21 ndeshje për t’u luajtur, që do të thotë janë 63 pikë në lojë. Diferenca prej 9 pikësh mund të jetë shumë, por mund të jetë edhe pak në qoftë se do të ketë ndonjë moment jo të mirë gjatë kampionatit.

Luani me Partizanin të hënën, çfarë ndeshjeje prisni?

Presim një ndeshje të vështire, kundër një rivali besoj. Një ekip që pëson pak gjithashtu dhe ruan shumë mirë ekuilibrat, si dhe di shumë mirë kohën e presingut.

Kush nga sulmuesit në Kategorinë Superiore ju ka hapur gjithnjë punë?

Sulmuesit që na kanë vënë në vështirësi deri në këtë momentin që po flasim është Patrik Eze i Kukësit.

Cili mendoni se do të jetë rivali juaj më i fortë deri në fund?

Sigurisht që rivali më i fortë është Vllaznia sepse në këtë moment që flasim është nëntë pikë e shkëputur nga vendi i dytë.