Nëntë gola në dy ndeshje dhe 6 pikë në klasifikim. Interi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin dhe trajneri Antonio Konte është i kënaqur. “Mendoj se kënaqësia e parë është se nuk ndryshon ideja e lojës së sezonit të shkuar. Tani kemi thjesht më shumë alternativa. Kjo skuadër luan futboll, sulmon, krijon shumë raste.

Dy golat e pësuar? Duhet të punojmë pak me ekuilibrin, por unë argëtohem si trajner, teksa shoh djemtë e mi dhe kornizat e tyre të rëndësishme të lojës”.Debutim pozitiv për Hakimin dhe Vidalin, edhe pse kiliani doli përpara kohe për shkak të një goditjeje të rëndë në kofshë.

“Po fitonim 4-1 dhe Arturo mori një goditje të fortë dhe po çalonte pak, kështu që unë nuk doja të rrezikoja, por nuk duket të jetë asgjë serioze dhe ai është një luftëtar. Hakimi është investimi i këtij viti”.

Aktivizimi i lojtarëve të rinj po bëhet gjithnjë e më shumë një proces natyral, madje më shumë sesa ishte parashikuar.

“Sigurisht që kemi bërë një punë bazë prej një viti dhe është një trashëgimi e çmuar. Sot mund të shtojmë një fantazist ose një lojtar që luan më në thellësi në varësi të ndeshjes. Janë gjëra që na lejojnë që të kemi opsione të ndryshme. Dhe mos mendoni se ndaj Beneventos ishte e thjeshtë. Të mos harrojmë se ata vinin pas një fitoreje të bukur me Sampdorian”.

Por a e shikon ai skuadrën e tij favorite për titull, pavarësisht se u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të mos ketë detyrim të fitojë?

“Unë klubit nuk i kam kërkuar asgjë. Nuk i kam kërkuar askujt asgjë. Le të mos shpikim gjëra që nuk janë të vërteta. A na japin për favoritë? Ne jemi të kënaqur që respektohet dhe vlerësohet puna ime. Vitin e shkuar ishim surpriza e kampionatit, tani kemi fituar besueshmëri, por ju them se po nënvlerësoni Napolin për titull”.

Sa u përket pyetjeve të gazetarëve për merkaton, tekniku mbylli çdo shteg për të mësuar diçka më tepër: “Nuk flas për bisedime”.