Akademia e arbitrimit është me mjaft rëndësi, pasi nga kjo dalin arbitrat që do të arbitrojnë ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe më gjerë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka qenë i pranishëm në mjediset e akademisë ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me pjesëmarrësit e saj. Akademia e arbitrimit është në vitin e saj të dytë dhe vitin e kaluar kanë dalë 70 persona të pajisur me dëshmi, ndërkohë që këtë vit pritet një numër më i madh.

Presidenti Duka, tha se aktualisht kemi shumë arbitra që arbitrojnë ndeshje që kanë dalë nga kjo akademi dhe duam që edhe në të ardhmën ajo të vazhdojnë me të njëjtën mënyrë.

Në lidhje me punën për përfundimin e stadiumit “Arena Kombëtare”, Duka tha se ishte parashikuar që aty të zhvillohej ndeshja me Moldavinë, por punimet nuk përfundojnë deri në qershor dhe kjo ndeshje do të zhvillohet në Elbasan.

“Shpresojmë që ndeshja e radhës që është në muajin shtator ta zhvillojmë tek “Arena Kombëtare”, pasi ka ende shumë punë që lidhen me arredimin, mobilimin, punën për prodhimin e sinjalit etj”, tha ai. Duka ka përgëzuar edhe skuadrën e Partizanit për titullin kampion, duke theksuar se uron që Partizani të shkojë sa më larg dhe të paraqitet denjësisht në Evropë.

K.H.