Është Ashley Young përforcimi i parë për Interin e Antonio Contes në merkaton e dimrit. Një emër me peshë që me eksperiencën e tij do të mundohet të ndihmojë zikaltrit për të zbritur Juventusin nga froni i Serie A në këtë sezon.

Pas Romelu Lukakut dhe Alexis Sanchez një tjetër lojtar lë Manchester United për Interin. 34-vjeçari i cili luan si anësor i majtë por mund të përshtatet edhe i djathtë edhe pse te Djajtë e Kuq mbante në krah shiritin e kapitenit vendosi të largohet nga skuadra e Solskjaer për t’iu bashkuar anijes së Antonio Contes.

Edhe pse kishte vetëm 6 muaj kontratë, United nuk e ka lënë të lirë, por Interi ka paguar 1,5 milionë euro për kartonin e Young ndërsa 500 mijë euro të tjera do të shkojnë në formë bonusi në rast se Interi fiton kampionatin. Young këtë të premte do të kryejë vizitat mjekësore ndërkohë që pritet të firmosë për 1 vit e gjysmë.