27/11/2020 - 11:26
Teuta nuk shkoi më shumë se një pikë në ndeshjen e javës së katërt ndaj Vllaznisë. Të besuarit e Edi Martinit, edhe pse me një lojtar më shumë për 20 minuta, nuk arritën të zhbllokonin sfidën, duke u larguar nga fusha me vetëm 1 pikë. Mesfushori i Teutës, Asion Daja, nuk e fshehu dot zhgënjimin pas barazimit 0-0 me Vllazninë në Durrës. Mesfushori shtatshkurtër u shpreh: “Ne i kemi dominuar me lojë çdo ekip dhe kam besimin që rezultatet do të vijnë”. Daja theksoi se Teuta duhet të kishte fituar të tria ndeshjet e luajtura në shtëpi.
Çfarë nuk shkoi ndaj Vllaznisë?
Me Vllazninë, e dinim që ishte ndeshje e vështire, pasi ato vinin pas tri ndeshjeve pozitive dhe me moral të lartë. Pavarësisht të gjithave, ne e dominuam tërësisht lojën dhe na mungoi vetëm goli. Me pak fat, mund të kishim shënuar, pasi rastet ishin. Edhe me dominim në lojë, po ta shikojmë ndeshjen, të dy qendërmbrojtësit tanë ishin në 35 metra nga porta kundërshtare. Për Teutën, bëhet akoma më e vështirë çdo ndeshje, pasi kundërshtarët vijnë në Durrës duke ditur potencialin dhe cilësitë e ekipit tonë. Kërkojnë gjithmonë të mbrohen dhe siç e kemi parë, gjithmonë e quajnë fitore barazimin me Teutën.
Tri ndeshje në Durrës dhe po kaq barazime, pse ekipi vuan për fitore në shtëpi dhe ia del në transfertë me Tiranën?
Siç e përmenda më lart, çdo ekip që përballet me Teutën, futet në fushë të mos humbasë dhe luajnë ultra-difensiv, duke ditur cilësitë e ekipit tonë. Në këto kohë që stadiumet janë bosh, ndihet edhe mungesa e tifozëve dhe faktori fushë bëhet jo shumë i rëndësishëm. Ne i kemi dominuar me lojë çdo ekip dhe kam besimin që rezultatet do të vijnë, pasi po bëmë këtë volum, jam i bindur për këtë gjë. Unë dhe të gjithë në ekip kemi besim se rezultatet do të vijnë.
Sa i kënaqur jeni në aspektin personal me atë çka dhatë në fushë?
Aspekti im personal varet edhe me rezultatin e ekipit. Unë mundohem të zbatoj detyrat e mia në fushën e lojës. Pastaj janë të tjerët ata që e vlerësojnë. Do isha i plotësuar nëse do dilnim me tri pikë atë ndeshje.
Nuk keni luajtur rregullisht, e ndieni veten titullar apo do të pranoni çdo vendim të trajnerit?
Mendoj që është vetëm fillimi. Si çdo lojtar, kërkoj të jem titullar, por duke e treguar në stërvitje dhe në paraqitje në fushë. Pastaj, si gjithmonë trajneri vendos. Unë jam profesionist, i kam respektuar dhe i respektoj vendimet e trajnerit, pasi ai është i pari.
Çfarë prisni nga transferta në Ballsh?
Nga transferta në Ballsh, pres që të jemi siç kemi qenë këto ndeshje dhe të përmirësojmë ato konstatime që stafi teknik nxjerr. Do të marrim maksimumin.
Si e parashikoni këtë kampionat dhe kush mendoni se do të luftojë deri në fund për titullin?
Ky kampionat dhe çdo gjë sot që flasim, është bërë pak e çuditshme prej pandemisë. Është akoma herët, por nuk do merremi me ekipet e tjera, vetëm me Teutën. Mendoj që jemi dhe e kemi treguar me personalitet në lojë, dominim në aspektin fizik gjatë 90 min, edhe serioziteti i presidencës, mendoj që do jemi deri në fund për titullin kampion”.
/portali DurresLajm/