Blerim Krasniqi ishte autori i golit të vetëm të bluve në barazimin 1-1 që Teuta arriti në shtëpi ndaj Partizanit. Sulmuesi kavajas u shpreh se Teutës i mungoi vetëm fati në këtë duel. Ai është i lumtur edhe për golin e shënuar dhe shpreson të vijojë me këtë ritëm.

Blerim, çfarë nuk shkoi ndaj Partizanit?

Mendoj se në tërësi bëmë mirë, u ndëshkuam nga një moment pakujdesie dhe e vuajtëm për 15 minuta. Më pas kur barazuam, e kishim ndeshjen në kontroll, por ky është futbolli. Në fund, pranojmë rezultatin e fushës.

Gjatë pjesës së dytë sulmuat, por edhe kur kundërshtari ishte me një lojtar më pak, nuk arritët të shënonit…

Kishim përballë një ekip që mbrohet mirë në të dyja fazat e lojës, duhet ta shfrytëzonim më mirë pjesën e parë, pasi kishim dhe erën në favor. Mendoj që bëmë mirë përpara, por e vetmja gjë që mungoi, ishte fati.

Sa i kënaqur jeni me golin?

Normalisht jam i kënaqur, sepse unë për gola jam këtu. Por, më vjen keq për atë rast të humbur në pjesën e dytë, do të ishte gëzim i dyfishtë. Shpresoj të mos ndalem e të shënoj në çdo ndeshje.