Florent Avdyli, mesfushori i Teutës, shënoi në transfertë ndaj Partizanit, gol i cili në fund pati vlerën e një pike për durrsakët.

Mesfushori kosovar pohon se Teuta ndodhet aty ku e meriton dhe kampionatin e këtij sezoni e shikon të vështirë, për vetë ngjeshjen që kanë skuadrat. Avdyli u shpreh se kartoni i dytë i verdhë për Romeron e Partizanit ishte i drejtë, pasi ai goditi këmbën e tij dhe jo topin në rastin kur doli me karton të kuq. Golin që i shënoi Luftëtarit e cilëson më të bukur se atë që i realizoi Partizanit.

Çfarë mendoni se shkoi mirë në barazimin me Partizanin?

Patëm shumë raste, ndryshe nga ata. Kishim mundësi që të merrnim 3 pikët, por nuk ia dolëm. Jemi në rrugë të mbarë. Ekipi, pas humbjes në Korçë, ka rifituar moralin e duhur. Tashmë shikoj një skuadër plot grintë.

Keni marrë një pikë me një nga pretendentët për titullin kampion, si Partizani. Do të ketë të tilla sfida edhe me skuadrat e tjera?

Ne luajmë gjithmonë për të fituar, pavarësisht kundërshtarit. Partizani është një skuadër shumë e mirë, por këtu në Durrës ne kemi fituar edhe me Kukësin apo Bylisin, apo kemi barazuar me Tiranën. Ndaj, nuk është çudi edhe ndalesa e Partizanit, pasi ne kemi më shumë mundësi se kaq.

Si e shikoni Teutën pas 7 javësh?

Jemi në pozicionin që duhet të qëndrojë kjo skuadër, por sot duhet të kishim edhe tri pikë më shumë. Unë besoj te rikuperimi i pikëve, pasi do të luftojmë ndaj çdo ekipi për të marrë maksimumin në fushën e lojës.

Çfarë veçoni në Kategorinë Superiore në përgjithësi në këtë sezon?

Mendoj se është një kampionat shumë i fortë, si në krye të tabelës, ashtu edhe në fundin e saj. Mund të fitosh kudo dhe në çdo fushë, por edhe mund të humbasësh ndaj çdo kundërshtari, sepse ky kampionat është shumë i fortë. Besoj se deri në fund dilemat mbeten për t’u zgjidhur, sepse gara është shumë e fortë për objektivat që kanë skuadrat.

Është diskutuar shumë kartoni i dytë i verdhë për lojtarin e Partizanit. Çfarë mendoni pasi pikërisht ndaj jush ka qenë ndërhyrja?

Lojtari i Partizanit (Arsitoteles Romero) e meritoi kartonin e dytë të verdhë në ndërhyrjen ndaj meje. Ai nuk ka pasur asnjë kontakt me topin, por me këmbën time, të cilën e ka shkelur. Nuk besoj se ka vend për diskutime kjo pjesë.

Keni shënuar dy gola në 7 javë, njëri më i bukur se tjetri. Çfarë ndjesie është për ju?

Kam shënuar dy gola të mrekullueshëm. Është e vështirë të zgjedh më të mirin. Por goli që i shënova Luftëtarit, në javën e tretë, mund të them se ishte më i bukur se ky ndaj Partizanit, për vetë distancën e gjuajtjes së topit.