Mesfushori i skuadrës së Teutës, Florent Avdyli, flet për sezonin e ri dhe beson se do të jetë i suksesshëm.Ai është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të veçantë, por, mbi të gjitha, është i gatshëm të pranojë çdo gjë për të mirën e “djemve të detit”.

Florent, tani fokusi është te nisja e sezonit të ri. Si ju duket grupi aktual?

Teuta ka pasur grup, do të punojmë që të jemi sa më të fortë. Lojtarët që kanë ardhur po i japin një dorë të mirë. Mendoj se jemi në nivelin e duhur për të ndihmuar Teutën. Sezoni i ri po afron, por mendoj se do të jemi gati. Deri atëherë, për të synuar sa më lart.

Si e patë miqësoren e fundit në prag të fillimsezonit?

Skuadra më pëlqeu. Përpos rezultatit, mendoj se bëmë një ndeshje të mirë. Dominuam në çdo aspekt ndaj kundërshtarit, këto ndeshje mendoj se shërbejnë më shumë për të parë gjendjen e lojtarëve, por edhe për t’u njohur më mirë me njëritjetrin në fushë. Rezultati i djeshëm duhet të ishte ndryshe për vetë lojën që zhvilluam, por tani është momenti të fokusohemi te ndeshja e parë në kampionat, pasi për ne ajo ka më shumë rëndësi.

Shorti i ka rezervuar Teutës ndeshjen e parë me Bylisin në shtëpi. Mendoni se do ta nisni mbarë?

Shorti është gjithmonë i vështirë, cilado qoftë skuadra, pasi ne e kemi parë që nuk është e thjeshtë me asnjë ekip. Bylisi është një skuadër që vjen nga Kategoria e Parë, por unë personalisht e kam parë të bëjë një futboll të mirë. Ka një skuadër të mirë, kështu që duhet të bëjmë maksimumin, duhet të përgatisim ndeshjen mirë për ta fituar.

Duke parë kalendarin, sa pikë prisni të merrni në tri javët e para?

Unë do të shpresoja dhe do të isha shumë i kënaqur nëse do të merrnim edhe 9 pikë të plota, por do t’i shohim gjërat me kujdes, hap pas hapi. Të fitojmë ndeshjen e parë, e të shohim në vazhdimësi si do të na shkojnë gjërat.

Si mendoni, sa larg do të shkojë Teuta këtë sezon?

Natyrisht që objektivi më minimal është të jemi në tri vendet e para, por duhet të shkojmë sa më lart. Nuk duhet të jemi euforikë, por të jemi sa më të qetë në punën dhe në luftën tonë edhe për sezonin e ri futbollistik, duke dhënë maksimumin për këtë fanellë që rëndon shumë mendoj unë.

Së fundmi, cila është dëshira juaj para nisjes së sezonit?

Dua që të vijojmë me rezultate pozitive në çdo ndeshje, të bëjmë lojën tonë dhe në fund të dalim me kokën lart. Dhe më pas, në fund, pse të mos festojmë me tifozërinë tonë. Kemi një tifozëri të mrekullueshme dhe që dëshiron në çdo takim rezultatin maksimal. Shpresojmë që t’i kënaqim me ndeshje të bukura dhe sigurisht me fitore.