Befasuese, por e vërtetë. Diego Armando Maradona, në një intervistë të fundit për “FourFourTwo”, hedh kandidaturën për postin e trajnerit të Manchester United.

“El Pibe de Oro”, i cili aktualisht drejton Dorados në Meksikë, ka një dëshirë të çmendur për të qenë trajner i “Djajve të Kuq”.

Nëse Manchester United ka nevojë për një trajner, jam njeriu i duhur që bën për ta. Çfarë do të ketë menduar vallë Ole Gunnar Solskjaer, kur e ka lexuar këtë deklaratë? Legjenda argjentinase gjithmonë ka krijuar lajm, por këtë herë ndoshta e ka ekzagjeruar pak.

“Ata shesin shumë bluza në të gjithë botën, por duhet të fitojnë trofe. Unë mund t’u jap një dorë. Manchester United ka qenë gjithmonë klubi im i preferuar në Angli, ka patur lojtarë të mëdhenj dhe një skuadër të madhe me Alex Ferguson, por më duhet ta pranoj se aktualisht City është më lart.

Këtë vit më ka pëlqyer Ander Herrera, por jo aq shumë Paul Pogba. Kam luajtur në “Old Trafford” në Kupën e Kupave në edicionin in 1983-’84. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm, më dukej sikur ishte “Bombonera.”