Mjaft i lumtur dhe i kënaqur me fitoren është shfaqur trajneri i Teutës, Gentian Begeja, që pranoi se skuadra ka rritur angazhimin në fushë ne lojës.

Një sukses shumë i rëndësishëm që ju jep frymëmarrje…

Begeja: Unë e kam thënë edhe më herët se kjo ndeshje kishte një specifikë të veçantë, sepse luanim kundër një rivali direkt. Ky 3-pikësh na jep më shumë shpresë dhe besim, por ende nuk jemi të qetë, pasi duhen ende shumë pikë, për të synuar mbijetesën.

Si e keni riparuar mbrojtjen, që nuk pëson më?

Begeja: Mendoj se merita nuk është vetëm e repartit të mbrojtjes, por e të gjithë skuadrës. Lojtarët janë më të vetëdijshëm për situatën ku ndodhemi dhe më kërkuesë e këmbëngulës në fushë, ndaj edhe rezultatet po shihen.

Javët e fundit Teuta ka ecur me hap Europe. Keni keqardhje që nuk e morët më herët klubin?

Begeja: Në fakt skuadra e Teutës u ndërtua që në fillim për të synuar Europën, por ndodhën shumë situata aspak të këndshme, që na çuan në këtë situatë të keqe. Tani do të duhet të luftojmë shumë për të mbijetuar, pasi do të jetë një duel i fortë me Kamzën dhe Vllazninë.

Keni marrë pikë në ndeshjen e fundit, por golat kanë ardhur nga mbrojtja…

Begeja: Në fakt kjo është e vërtetë, por më duhet të evidentoj se si Latif, ashtu edhe Dediç, kanë bërë ndeshje shumë të mira dhe i janë përgjigjur angazhimit të skuadrës. Shpresoj që në javët në vijim, lojtarët e sulmit të gjejnë edhe golat, për të qenë më të qetë.