Teuta kërkon të vazhdojë me serinë e fitoreve edhe në Vlorë. Edhe pse e dinë që nuk do të jetë e lehtë, për të siguruar mbijetesën janë të “dënuar” për të marrë pikë. Fabjan Beqja, që në ndeshjet e fundit është përshtatur si mesfushor qendre apo edhe krahu, shfaqet optimist para kësaj transferte.

"Fitorja me Vllazninë na ka çliruar. Ishte një ndeshje me rëndësi të madhe dhe ne bëmë detyrën duke marrë më të mirën.

E kishim studiuar kundërshtarin dhe pritëm momentin e duhur për ta goditur. Të gjithë jemi të kënaqur me atë që kemi bërë, por duhet të vazhdojmë kështu. Tashmë shkojmë në Vlorë. Gjendja e Flamurtarit është një ‘thikë me dy presa’. Nga njëra ana ata janë të demotivuar pas rezultateve të fundit, por gjithashtu ata mund të gjejnë forcat dhe të rikthehen për të bërë mirë.

Besoj se edhe barazimi në Vlorë mund të quhet një rezultat pozitiv, megjithatë ne do futemi në fushë për të marrë më të mirë. E respektojmë kundërshtarin dhe duam të shfrytëzojmë momentin që po kalojmë, por e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi duhet të jemi realistë nuk kemi bërë asgjë.

Vërtet kemi marrë 5 rezultate pozitive radhazi, por sërish jemi të parafundit në klasifikim, pra kjo tregon qartë se duhet më shumë punë dhe impenjim për të arritur objektivin që kemi. Jemi rritur në klasifikim dhe kemi përfituar edhe nga hapat fals të kundërshtarëve, por gjithçka sa vjen dhe vështirësohet.

Ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe e dimë çfarë duhet, ndonjëherë nuk mjafton vetëm të luash mirë, por duhet të kesh edhe pak fat. Duhet të punojmë fort në stërvitje dhe të sakrifikojmë në fushë për ta siguruar sa më parë mbijetesën", përfundoi Beqja.