17 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ky është bilanci i dhunës që shpërtheu mes tifozëve të të dyja skuadrave në derbin e Beogradit Partizan – Crvena Zvezda, takim që u mbyll në barazim 1-1.

Përplasjet e dhunshme mësohet se nisën në momentin kur disa mbështetës të Crvena Zvezdas kaluan në një nga sektorët ku ishin akomoduar ultrasit e Partizanit, e pikërisht pas reagimit të këtyrë të fundit situata për disa momente doli jashtë kontrollit.

Ndeshja u ndërpre për 10 minuta, kohë gjatë së cilës tifozëritë dhuruan “spektakël” me përplasjen mes tyre, duke i detyruar forcat e rendit të ndërhynin dhunshëm për të shmangur më të keqen.

Mësohet se janë arrestuar disa nga ultrasit që konsiderohen shkaktarë të këtij sherri masiv. Crvena Zvezda arriti të shmangte humbjen, duke barazuar 1-1 dhe ruajtur distancën prej 9 pikësh me rivalët e përjetshëm.