Aktualisht është trajner moshash te Teuta, ndërsa shkelmoi topin e parë të hapjes së kampionatit në ndeshjen ndaj Bylisit, duke qenë fatsjellës për durrsakët. Bledar Hodo është një nga ata ishfutbollistë që ka lënë gjurmë me Teutën.Ai flet për ekipin mëmë, teksa i prek të gjitha temat, duke filluar nga gjendja aktuale e çfarë duhet të kërkojë Teuta në të ardhmen.

Bledar, pas futbollit të luajtur me çfarë po merreni aktualisht?

Aktualisht jam mësues i edukimit fizik, por edhe trajner i Teutës U-15 në Akademia e Futbollit Teuta.

Teuta pas 7 javësh ka marrë 12 pikë. Si mund ta mbajë ritmin kjo skuadër?

Mundësinë për të ecur me rezultate të mira e ka. Është skuadra e momentit. Ka dy rezultate pozitive, një me Kukësin dhe një me Partizanin. Ka gjetur ekuilibrat në të gjitha repartet. Nuk pëson shumë gola dhe duket se diçka është rregulluar në mbrojtje. Ka gjetur po kështu ekuilibër në mesfushë.

Pjesa para po shënon dhe si të thuash po bëhet më kërkuese dhe më e larmishme. Shënimi i golave i jep qetësi dhe siguri ekipit që të luajë një 90-minutësh pa probleme. Por, çka është më e domosdoshme, skuadra ka sjellë pikët.

A është Teuta për titull me blerjet që ka bërë?

Mua më pëlqen që po e nisin me këtë objektiv dhe me këtë mentalitet sezonin. Të nisesh për objektiva madhorë, do të thotë që të përgatitesh për të luftuar fort deri në fund, por mbetet për t’u parë. Sezoni është shumë i gjatë. Megjithatë, më vjen mirë, sepse do të ishte një forcë më shumë ndër ekipet pretendente dhe do ta zbukuronte kampionatin. Për mua, edhe nëse Teuta nuk e arrin këtë objektiv, por mbërrin në tri vendet e para, do të më vinte shumë mirë. Do ta ndihmonte skuadrën që të përmirësohej gradualisht dhe të fitonte pjekurinë që i duhet një skuadre të madhe për ta fituar titullin.

A ju bind realisht kjo Teutë?

Teuta nuk duhet të diskutojë asnjë skuadër. Duhet të sigurojë sa më shumë pikë e pastaj të mendojë, pse jo, dhe për gjëra madhore në Superiore. Gjithsesi, s’duhet të neglizhojë as Kupën e Shqipërisë, pasi me kontigjentin që ka në dispozicion do të arrijë t’ia dalë.

Si ju duken lojtarët e afruar?

Lojtarë cilësorë. Në letër Teuta nuk ka diferenca të mëdha sot me ekipet e tjera në organikë. Por ka gjëra të tjera që duhet t’i rregullojë nëse dëshiron seriozisht titullin.

Si janë raportet mes Hodos dhe Teutës?

Raportet janë shumë te mira. Jam rritur këtu dhe sa herë më kërkohet kontributi, jam i gatshëm ta jap. Është si pjesë e jetës sonë, nuk shkëputemi dot.

Cilën skuadër shihni favorite për titull?

Shoh Teutën, Tiranën, Partizanin dhe Kukësin, pas kësaj jave. Gjithsesi, mendoj se do të jetë një “luftë” e vërtetë deri në fund.

Si ju duket puna e trajnerit Shkëmbi?

Më vjen mirë që po bën mirë, si një trajner i ri i Superiores. Bledi punon shumë seriozisht dhe kërkon shumë nga lojtarët e tij. Kjo është një mënyrë për të ecur përpara. I ka të gjitha mundësitë që këtë sezon të fitojë një trofe. I uroj Teutës vetëm suksese dhe shpresoj që të ngrihet e bëhet sërish një superfuqi në Shqipëri.