Teuta luan Europën kundër Kastriotit. Edhe pse janë në vend të 3-të, çdo gabim mund t’u kushtonte rëndë durrsakëve. Këtë gjë lojtarët e dinë fare mirë, ndaj janë më të mobilizuar se kurrë për ta kaluar me sukses javën e parafundit të kampionatit. Mbrojtësi i linjës së djathtë, Erlis Frashëri, shprehet i bindur për trepikëshin. 

Pas fitoreve me Partizanin dhe Skënderbeun, jeni më të qetë? 
Duke parë kundërshtarët dhe si shkuan gjërat gjatë këtyre 180 minutave, them se ishin dy fitore të merituara. Rëndësi kishte që të ruanim ecurinë pozitive dhe ia dolëm. Jam shumë i lumtur për atë çka dhamë në fushën e lojës dhe për këto 6 pikë të shtuara në “llogarinë” tonë. Këto rezultate janë vetëm falë punës sonë si ekip. 

Si është morali i ekipit para ndeshjes me Kastriotin, ekip që po luan mbijetesën? 
Ana morale nuk ka qenë ndër më të mirat, por mjaftuan këto dy fitore për të ndryshuar gjendjen. U ringritëm. Ky është një grup fantastik dhe është me meritë në këtë pozicion. Ndaj Partizanit kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, të përqendruar dhe në kërkim të rezultatit të vetëm që na hynte në punë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ndaj Kastriotit. Për ne është një takim shumë i rëndësishëm. 

I kalueshëm Kastrioti si kundërshtar…? 
Ne do të japim më të mirën tonë për ta fituar ndeshjen dhe të sigurojmë Europën. Kastrioti është një ekip i mirë dhe ka kualitete. Por, unë kam besim te skuadra dhe cilësitë e që kemi, kemi bërë një ecuri të mirë për një periudhë të gjatë dhe nuk janë rastësi ecuria dhe rezultatet, që kanë ardhur si logjikë e një loje mjaft të bukur. 

Jemi në metrat e fundit të kampionatit, çfarë prisni nga këto dy javë? 
Jam i bindur që do të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Kemi kaluar problemin psikologjik. E kaluam duke u stërvitur shumë, por edhe me fat. Gjithmonë për të kaluar një situatë të vështirë në futboll të duhet edhe pak fat. Në këtë ndeshje e kemi pasur. 

Çfarë do bëni ju pas këtij sezoni? 
Do thosha se zgjedhja e parë do jetë Teuta. Por, do pres me qetësi, dhe e rëndësishme është që gjërat të shkojnë mirë dhe të kapim Europën. Më pas të shohim se çfarë do të rezervojë e ardhmja.