Marash Kumbulla ka zgjidhur më në fund të ardhmen e tij e tashmë për pesë vite ka nënshkruar me Romën. Verdhekuqtë ia dolën të mposhtnin konkurrencën e Lacios dhe Interit, ndërsa u treguan më konkretë në drejtim të ofertës për klubin e Veronës. Ndërkohë, për të prezantuar edhe më shumë Kumbullën, për mediat italiane ka folur ish-sulmuesi i Kombëtares, Erjon Bogdani. Ish-futbollisti e njeh mirë mbrojtësin duke qenë se e ka pasur nën urdhrat e tij në kohën kur drejtonte Shqipërinë U19. Në intervistën e tij, Bogdani thekson se Roma ka bërë një goditje të madhe duke transferuar Kumbullën, teksa edhe ai vetë është impresionuar nga rritja që ka bërë futbollisti i datëlindjes 2000. “Roma ka marrë një mbrojtës të shkëqlyer dhe po ashtu kanë bërë një investim të shkëlqyer. Kumbulla është i datëlindjes 2000 dhe në Kombëtare me mua ka luajtur edhe pse ishte nën moshë. Ka pasur një përmirësim dhe rritje të madhe. Zhvilloi një kampionat shumë të mirë në sezonin e kaluar”.

Mos ishte pak i lartë çmimi prej 30 milionë euro? “Vlerësimi i tij nuk ishte i ekzagjëruar. Ishin shumë klube pas Marashit. Roma ka bërë një lëvizje të shkëlqyer për një lojtar që është rregullisht edhe në kombëtare”.

Presioni te Roma- “Roma duhet të ruaj investimin e saj, por ai vjen të luaj në një skuadër të fortë. Tani është në dorën e tij”.

Një pikë e dobët që Fonseka duhet të punojë? “Në Serinë A duhet të përmirësohesh gjithnjë sepse ka sulmues të fortë. Kumbulla është i gjatë, disa thonë se është i ngathët, por nuk është e vërtetë. Marashi e lexon aksionin shumë mirë, ka edhe sensin pozicionimit. E ndoqa në sezonin e kaluar dhe më impresionoi, veçanërisht në ndeshjen me Interin ku markoi Lukakun. I qëndroi atij shumë mirë nga pas”.

Është gati për futbollin që luan Roma? “Ai me mua ka luajtur edhe me katër mbrojtës duke u aktivizuar si qendër e majtë.Por, ai është një lojtar që ka personalitet dhe nuk ka frikë edhe të shkojë përpara për të nisur një aksion. Po flasim për një djalosh 20-vjeçar që di shumë mirë të adaptohet në sistemet mbrojtëse”, u shpreh Bogdani.