Aleksandër Karapetian u ndëshkua ditën e djeshme me karton të kuq, gjatë ndeshjes mes Armenisë dhe Italisë. Futbollisti, i cili shënoi edhe golin e parë për armenët, u ndëshkua në fundin e pjesës së parë me të dytin e verdhë, por në fakt ai nuk i kishte dhënë asnjë bërryl Bonuçit.

Por, sjellja e mbrojtësit të Juventusit, bëri që arbitri të mendonte se armeni e kishte goditur, dhe i dha të dytin e verdhë. Për këtë simulim të Bonuçit, vetë Karapetian ka reaguar në rrjetet sociale duke e quajtur të turpshëm veprimin e tij.

“Kam një respekt të madh për atë që ke arritur në karrierën tënde futbollistike, por ajo që bëre dje ishte e turpshme”, shkruan Karapetian në një foto të postuar në “Instagram”, e ku etiketon edhe vetë Leonardo Bonuçin.