Pas humbjes 6-0 ndaj Spanjës, Franc Bekenbauer vazhdon të mendojë që trajneri Joakim Lëv duhet të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës. Në Federatën Gjermane të Futbollit u mbajt dje një mbledhje me dyer të mbyllura ku u diskutua gjatë për çështjen e Lëvit.

Edhe pse ai u konfirmua një ditë pas ndeshjes nga presidenti i DFB-së, disa anëtarë kanë kërkuar një takim tjetër pasi janë kundër qëndrimit të tij.

“Tomas do të sillte rregull në skuadër jo vetëm nga ana taktike, por edhe psikologjike. Te Bajerni ai është gjithmonë lojtari që ndodhet aty në momentet e vështira. Lëv? Sigurisht që duhet të qëndrojë dhe të përgatitet për Europianin. Ndeshje të tilla do ta ndihmojnë të krijojë një ide më të qartë për lojën dhe lojtarët që ka në dispozicion”, tha “Kajzeri” për “Bild”.

Pyetjes nëse Lëv duhet t’u japë fund skarcimeve të veteranëve dhe të rikthejë lojtarët e tjerë, Bekenbauer iu përgjigj:

“Po, patjetër. Sa më shpejt të jetë e mundur. Ai duhet të rikthejë jo vetëm Tomas Mylerin, por edhe Zherom Boateng si dhe Mats Humelsin. Largimet e tyre kanë qenë një gabim i madh që në fillim. Gjithçka do të shihet në ndeshjet e marsit, aty do të krijojmë një ide më të qartë për skuadrën që pritet të luajë në Europian. Pra, Lëv ka ende një mundësi për të rregulluar gabimet e bëra”, tha 75-vjeçari.

Për humbjen drastike 6-0 me Spanjën, “Kajzeri” komentoi pak duke e quajtur atë një natë të errët për futbollin gjerman.

“Ajo nuk ishte kombëtarja e Gjermanisë. Një ‘Blackout’, edhe pse këto gjëra mund të ndodhin, por tani e gjithë bota po qesh me ne. Fatmirësisht, këto ndodhin shumë rrallë në kombëtare, ndaj më mirë ta lëmë atë ndeshje në Sevije dhe të mendojmë se si do të luajmë në të ardhmen. Në Spanjë pashë një skuadër pa lider në fushën e lojës. Liderët duken pikërisht në momente të tilla, por asnjëri nuk mori përsipër të fajësonte veten”.