Iu deshën gati dy muaj që të gjente golin e parë me fanellën e Teutës, ndaj nuk ka si të mos ndihet i çliruar. E megjithatë, Tomislav Bushiç nuk kënaqet me kaq, pasi thekson se tashmë që shënoi, nuk e ka më në plan të ndalet. Duket se ka marrë zemër pas barazimit përballë Kukësit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe tashmë e thotë hapur se do të kërkojnë “kokën” e Partizanit. Dhe nga ajo që pohon vetë kroati, kuptohet qartazi se nuk do të luajnë për një barazim. Sulmuesi rrëfen se ndihet më mirë kur luan me Latif në krah, pasi kur është i vetëm e ka më të vështirë që t’u bëjë ballë dy mbrojtësve që i rrinë pas shpine.

Erdhi më në fund goli i parë me fanellën e Teutës. Si u ndie Bushiç?

Jam shumë i lumtur, pasi ishte realisht shumë i rëndësishëm për mua ai gol. E megjithatë, ky ishte vetëm fillimi, tani nuk më mbetet tjetër, veçse të bëj gjithçka për të vazhduar ritualin. Dua të shënoj akoma më shumë. Por, më shumë jam i lumtur sepse ekipi shfaqi karakter dhe mundi që të barazojë rezultatin.

Çfarë nuk ka shkuar siç duhet gjatë kësaj periudhë me ju?

Çdo gjë ishte në rregull në fillim, por pata fatin e keq që direkt pas transferimit të pësoja një dëmtim, i cili më detyroi që të qëndroja jashtë për dy javë. Dhe është normale që një futbollisti i duhet kohë për të kapur ritmin e ndeshjeve. Tani jam në gjendje të mirë.

Si u ndjetë me Latif në sulm?

Kjo është hera e parë që ne luajmë të dy dhe më duhet ta pranoj se është më e lehtë si për mua, ashtu edhe për Latif. Kur jemi bashkë në fushë, bëhemi rrezik për mbrojtësit kundërshtarë, pasi u duhet që të përqendrohen te të dy ne. Ndërsa kur jam vetëm, është më e vështirë gjithmonë për mua, sepse do kem gjithnjë dy mbrojtës mbi shpinë. Sigurisht që nuk mund të kënaqemi me aq sa treguam kundër Kukësit, pasi mund të luajmë shumë herë më mirë dhe që të arrijmë perfeksionin, do të na duhet që punojmë akoma më shumë edhe në stërvitje.

Do të keni përballë kryesuesit e kampionatit këtë të diel, sa mundësi ka Teuta që të marrë tri pikët ndaj Partizanit?

Është një javë e vështirë dhe mund ta quaj pa frikë një “derbi”. Nga sot ne do të mendojmë vetëm për këtë kundërshtar dhe jam i sigurt që ne do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe do të japim maksimumin për të marrë trepikëshin.

Me transferimin tek Teuta, a i ka vendosur objektiva vetes Bushiç?

Në aspektin personal, unë dua vetëm që të ndihmoj skuadrën me lojën time. Nëse e bëj këtë, atëherë do të arrijmë edhe objektivin final që ka klubi ynë.