Toka bullgare i ka bërë mirë sulmit të Teutës dhe në veçanti Tomislav Bushiçit. Kroati ka shënuar në 3 nga 4 miqësoret e zhvilluara gjatë fazës përgatitore, duke i dhënë sinjale më shumë se të mira stafit teknik. E vetmja gjë që të gjithë presin tashmë është ai të ruajë ritmin edhe për ndeshjet zyrtare. 

Dhe prova e parë e vërtetë për të do të jetë 11 korriku, kur durrsakët do të përballen në Letoni me Ventspils për llogari të turit të parë të Ligës së Europës. Sulmuesi ka analizuar skuadrën dhe veten, ndërsa tregohet i sinqertë kur thotë se kritikat nuk e kanë shqetësuar kurrë. 

Tani që u mbyll zyrtarisht faza, çfarë note do t’i vendosni Teutës? 

Teuta është në rrugë të mbarë. Kemi punuar mirë dhe sigurisht që objektivi kryesor i yni është që të kalojmë një tur në Kupat e Europës. Kundërshtari është i vështirë, por ne mund të marrim rezultatin e duhur për të kaluar më tej në zonën “Euro”. E dimë, nuk do të jetë assesi e lehtë, por nuk na mungon asgjë për të tentuar realizimin e këtij objektivi. 

Në kulmin e kritikave, shpërthyet në gola. Mjaftojnë ato rrjeta për të bindur skeptikët? 

Mua asnjëherë nuk më kanë shqetësuar kritikat, qofshin të drejta apo edhe pa vend. Gjithmonë kam ulur kokën dhe jam stërvitur në maksimum për të arritur formën dhe golin. E rëndësishme për mua është që jam zhbllokuar dhe kam arritur gjendjen më të mirë. Më gëzon fakti se po ecim mirë edhe si ekip. Loja ka ardhur në rritje dhe kur kjo ndodh, edhe sulmuesit e kanë më të lehtë të arrijnë të shënojnë. Nëse Teuta këtë vit e ruan ritmin edhe në kampionat, mund të pretendojë shumë më shumë. Grupi është konsoliduar ndjeshëm dhe mendoj se kemi gjetur më në fund veten. 

Vetëm në dy javë keni shënuar katër gola, e mendoni veten si golashënuesin në sezonin e ri? 

Rëndësi ka që ekipi të ketë sukses dhe jo rekordet e mia personale. “Këpuca e Artë” dëshirohet nga shumë sulmues, por është shumë herët për të folur për të. Primare për ne është Europa, por mund të them që mendoj se do të jem një nga kandidaturat kryesore për ta marrë atë trofe. 

Si ju duket niveli i kampionatit shqiptar dhe me sa gola do të ishit i kënaqur në fund të sezonit që vjen? 

Niveli i kampionatit më duket i kënaqshëm. Shumë rivalitet nga fillimi e deri në fund. Kjo u pa edhe në sezonin që lamë pas. Unë dua që të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur për Teutën. Nuk kam dëshirë që të jap shifra, pasi mund të gaboj, por dua që të jem një nga golashënuesit më të mirë. 

Me ndeshjen ndaj Ventspils që po afron, cila është dëshira e Bushiç? 

Dua që të vijojmë me rezultate pozitive. Të shkojmë në Letoni dhe të bëjmë lojën tonë dhe nëse kjo ndodh, mendoj se do të dalim më kokën lart. Dhe, pas një javë të festojmë në fushën tonë. Kemi një tifozëri të mrekullueshme dhe që dëshiron në çdo takim rezultatin maksimal. Shpresojmë që t’i kënaqim me një lojë të bukur dhe sigurisht me fitore.