Ndaj korçarëve, sulmuesi kroat Tomislav Bushiç gjeti golin e parë me fanellën e Teutës në kampionat. Bushiç thekson se Teuta është gati të marrë tri pikët edhe ndaj Partizanit. Ai tregon për momentin e vështirë që kaloi ekipi sa u përket rezultateve, por edhe atë personal për mungesën e golit.

Bushiç, e kishit menduar kaq të vështirë rikthimin te fitorja?

Me sinqeritet që po. E kisha menduar shumë të vështirë. Nuk vinim nga një periudhë e mirë. Ekipi kundërshtar po bën një kampionat shumë të mirë. Është një kundërshtar që të lejon të luash futboll. E patëm të vështirë të bënim një futboll siç duhet, pasi dhe reshjet e shiut ndikuan disi. Ana psikologjike është shumë e rëndësishme. Për fat të mirë, mendoj që ky 3-pikësh do na bëjë mirë për të përgatitur ndeshjet e ardhshme.

Goli i parë me Teutën në këtë kampionat pas tre muajsh…?

Goli që shënova ndaj Skënderbeut nuk ishte gjë tjetër, veçse realizimi i detyrës që më është ngarkuar që kur vesha fanellën e Teutës, por edhe më gëzoi pa masë. Ndihem shumë mirë, por mbi të gjitha më bëhet qejfi më shumë për 3 pikët ndaj Skënderbeut. Të vazhdojmë përpara kështu. Dua të falënderoj presidentin dhe stafin e Teutës për kushtet që më krijuan kur erdha këtu. Edhe nga tifozët jam shumë i kënaqur. Nuk pendohem për zgjedhjen e bërë. Golin ua dedikoj kolegëve të mi futbollistë, familjes, po ashtu edhe stafit teknik e drejtues.

Çfarë ka ndryshuar te skuadra?

Jemi rikthyer ajo Teutë që të gjithë presim. Mendoj është rikthyer agresiviteti, që na kishte munguar gjatë javëve të fundit. Tani jemi në rrugën e duhur dhe mendoj që deri në fund nuk do të ndalemi.

Çfarë ka munguar më parë?

Na ka humbur agresiviteti në ndeshjet që kemi dalë të humbur. Ka qenë edhe mungesë fati, pasi një herë na vinin ekipet në portë dhe shënonin gol. Tani është rikthyer Teuta që të gjithë prisnin.

Ndeshja e radhës kundër Partizanit kampion, çfarë prisni?

Teuta vjen në këtë përballje njësoj si në ndeshjet e tjera. Është një takim i rëndësishëm. Teutës i duhen tri pikët në luftën për Europë. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe do kërkojmë të ruajmë ecurinë pozitive, duke marrë një tjetër fitore që do na ndihmojë shumë për të vijuar të jemi të 3-t në renditje.

Do të jeni sërish tek Teuta edhe sezonin tjetër?

Unë ndihem mirë këtu, ndihem si në familje. Të përfundojmë njëherë sezonin dhe të arrijmë objektivat, pasi për rinovimin unë nuk e kam problem.