Diego Armando Maradona është përcjellë për në banesën e fundit nga anëtarët e familjes dhe miqtë e ngushtë, të cilët ishin të vetmit që u lejuan në varrezat Jardin bella Vista në Buenos Aires.

Ai është varrosur pranë prindërve të tij, Dalma dhe Diego, ndërkohë që rrugët sot ishin pushtuar sërish nga tifozët. Makina që transportonte trupin e Maradonës kaloi në masa të rrepta sigurie, ndërkohë që shumë njerëz tentonin ta preknin sa herë ndalte prej trafikut.

Deri ditën e djeshme, në orën 18:00, për 12 orë njerëzit kishin mundësinë të bënin nderimet e fundit në pallatin presidencial, ndërkohë që nuk munguan edhe trazirat që sollën edhe arrestime e njerëz të plagosur.

Edhe pse një ceremoni mortore, tifozët kishin mbushur rrugët me flamuj kombëtar dhe kënduan për idhullin e tyre. “Diego nuk ka vdekur, Diego jeton te njerëzit”, ishte një nga koret e shumta që dëgjohej, ndërkohë që tifozët një ditë më parë kishin hipur në kangjellat e pallatit presidencial.