Një ditë para ndeshjes me Manchester United, Antonio Conte nuk u tregua aspak i rezervuar, teksa “shigjetoi” drejtuesit e klubit, duke u kujtuar se janë shumë mbrapa me punën në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

Tekniku i ri i zikaltërve është i pakënaqur që i kanë ardhur shumë pak nga futbollistët që kërkon për projektin e tij dhe që i duhet të punojë ende me lojtarë që nuk i ka në plan për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë dje, pas humbjes minimale përballë “djajve të kuq”, Conte “dogji” edhe kroatin Ivan Perisic, duke deklaruar se nuk përshtatet me skemën e tij dhe nuk mund të luajë në krah, ndaj është i detyruar ta aktivizojë në sulm.

“Po punojmë shumë, por përgjigjet janë negative, në kuptimin që Perisic nuk arrin të luajë si mesfushor i majtë në skemën 3-5-2. Impenjohet maksimalisht dhe e vlerësoj për këtë, por nuk ka cilësitë e duhura për të luajtur në atë pozicion, ndaj për momentin mund t’i gjej vend vetëm si sulmues”, tha Conte.

Kjo deklaratë e trajnerit duket se vë kroatin në listën e lojtarëve që duhen larguar, bashkë me Icardin, Nainggolan, Joao Mario etj., ndërsa drejtuesit e Interit, përveç sulmuesve, tani duhet të kërkojnë edhe për një mesfushor krahu, ku në listën e pretendentëve është Emerson i Chelseat.