Nëse ka një fushë në jetë ku distancimi social është një problem, ai është futbolli dhe një ndeshje amatore në Gjermani fundjavën e shkuar është shembulli më i mirë.

Ripdorf, që luan në kategorinë e 11-të të futbollit gjerman, humbi 37-0 pasi u qëndroi larg kundërshtarëve të Holdenshtedit për shkak të frikës nga infektimi me “COVID-19”.

Një lojtar i Holdenshtedit kishte pasur kontakt me një person të infektuar. Skuadra rezultoi negative, por Ripdorf kishte frikë, duke qenë se nuk u krye karantina 14-ditore. Ata kërkuan anulimin e ndeshjes, por autoritetet lokale refuzuan. Shumë lojtarë refuzuan të luanin, por u zëvendësuan nga rezervat, sepse klubi kërcënohej me 200 euro gjobë nëse nuk luante.

“U jemi mirënjohës atyre 7 lojtarëve që dolën vullnetarë, sepse po të braktisnim ndeshjen, do të gjobiteshim. Me të nisur loja, lojtarët tanë largoheshin në vijat anësore për të ruajtur distancën dy metra”, tha presidenti i Ripdorfit, Patrik Ristov.