Teuta e ka mbyllur ndeshjen ndaj Luftëtarit në barazim pa gola. Mesfushori Arbër Çyrbja është shumë i pakënaqur për rezultatin.

Sipas tij, në këtë sfidë Teuta dominoi, por nuk arriti të marrë tri pikët. Futbollisti flet dhe për dëmtimin që e detyroi të linte ndeshjen.

Arbër lini fushën i dëmtuar, si është gjendja juaj?

Natyrisht më shqetëson. Nga dëmtimi unë nuk mund të vazhdoja më të luaja, por mund të them se për momentin është një tërheqje dhe do shohim më shumë se në çfarë grade është.

Dominuat ndaj Luftëtarit, por nuk fituat?

Ne luajmë gjithmonë për të fituar, pavarësisht kundërshtarit. Rastet i patëm. Me pak fat dhe mund ta kishim fituar këtë 90-minutësh. E administruam ndeshjen, falëm. Kishim çdo gjë në dorë dhe mbaroi kështu si mbaroi.

Pse mungon qetësia në skuadër?

Ky është moment që duhet analizuar. Pyetja është e vërtetë. Ia bëjmë dhe vetes, por duhet t’i marr gjërat me qetësi.

Në çfarë situate e përshkruani Teutën sot në javën e 12-të?

Nuk jemi në pozicionin që duhet të qëndrojë kjo skuadër, sepse sot duhet të kishim edhe disa pikë më shumë. Unë besoj se do rikthemi më të fortë në fushën e lojës. Megjithatë, Teuta mendoj se nuk ka pozicionin që duhej të kishte në renditje dhe besoj se gjithçka do të ndryshojë më vonë, për këtë të jeni të sigurt.

Në dy ndeshjet Vllaznia-Teuta dhe Teuta-Skënderbeu, sa pikë parashikoni të merrni?

Fillimisht do të mendojmë vetëm Vllazninë, pasi është kjo ndeshja e radhës, më pas për Skënderbeun. Ne mendojmë vetëm kundërshtarin që kemi përpara, pastaj atë që vjen më pas, pra, pasi të kemi mbyllur 90 minutat me skuadrën që duhet të luajmë. Pres maksimumin me Vllazninë, fitoren, pastaj shohim Skënderbeun në shtëpi dhe do të ishte perfekte të merrnim 6.