Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, shkëlqeu në ndeshjen e djeshme, ndërsa i mungoi vetëm goli. Në prononcimin e tij titullari i durrsakëve u shpreh i kënaqur për tri pikët ndaj Flamurtarit, edhe pse të vuajtura.

Sipas tij, skuadra do të synojë maksimumin në çdo ndeshje, teksa shpreson që ta mbajnë sa më gjatë vendin e parë.

“Objektivi ynë në këtë ndeshje ishte fitorja, që edhe pse me vështirësi, ia dolëm ta merrnim. Në fakt, Teuta e ka paksa të vështirë të marrë fitoren atëherë kur e kemi detyrë shtëpie, por gjithsesi ia dolëm. Flamurtari bëri lojën e vet dhe na i vështirësoi gjërat në këtë ndeshje. Kjo fitore na mban në vendin e parë dhe shpresojmë që të qëndrojmë sa më gjatë në këtë pozicion”, ka thënë fillimisht Çyrbja.

I pyetur për mungesën e golit, ai u shpreh: “Nuk ka asnjë problem për mua fakti që nuk shënova. Kjo është çështje dytësore në një lojë ku kanë rëndësi pikët që merr skuadra. Për aq kohë sa Teuta do të fitojë, nuk do të shqetësohem nëse shënoj apo jo”.

Në fund, titullari i durrsakëve foli edhe për vazhdimësinë në kampionat, teksa Teuta do të luajë dy ndeshje radhazi në transfertë.

“Në çdo ndeshje ne hyjmë në fushë për tri pikë, nuk ka rëndësi se ku luajmë. Edhe pse kemi dy ndeshje jashtë, në Laç dhe më pas në Ballsh, do të luajmë për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, pasi në këtë kampionat nuk ka ndeshje të tilla, por siç e thashë do të japim gjithçka në çdo ndeshje”, përfundoi Çyrbja.