Derbi lë me pasoja stadiumin “Air Albania”, ndërsa FSHF kërkon dënimin e shkelësve të ligjit. Në sfidën e parë të Kategorisë Superiore me tifozëri brenda nuk mund të mungonin dëmtimet në stadium. Sipas administratorëve të stadiumit, kanë qenë afër 70 stola të dëmtuar në vende të caktuara të stadiumit. Më shumë dëmtimet janë shënuar në pjesën e tifozëve të Tiranës.

Nga kontrolli i stadiumit pas ndeshjes rezultojnë deri tani 66 stola të dëmtuar. 15 nga ana e Partizanit dhe 51 nga ana e Tiranës. FSHF e ka referuar çështjen në polici, që kjo e fundit t’i identifikojë dëmtuesit dhe t’i ndëshkojë sipas ligjit. Një stadium i mbushur pothuajse plot ai i së premtes. Edhe pse nuk pati “sold out”, për dy ditë u shitën rreth 19 mijë bileta, duke qenë ndeshja më e madhe e mijëvjeçarit, për shkak të shikueshmërisë së lartë.

Gjithsesi, edhe pse takimi u luajt në një ambient perfekt, me dy tifozëritë ata e kanë kaluar masën. Partizani ishte organizator i këtij derbi që afroi në stadium rreth 19 mijë persona. Organizimi i klubit të kuq ka qenë perfekt dhe kjo punë e Partizanit është shpërblyer edhe me arkëtime rekord.

Ndonëse gjithçka ishte thuajse e përkryer, sërish tifozët kishin arritur të fusnin brenda sende të palejuara, si flakadanë dhe shashka. Derbi i 155-të i kryeqytetit është ndeshja e parë e Kategorisë Superiore e luajtur në stadiumin e ri kombëtar “Air Albania”.