E mbani mend Dario Silvën? Ish-sulmuesi uruguaian, i cili në karrierën e tij ka veshur fanellën e Cagliarit në periudhën 1995-1998, Malagës, por edhe përfaqësueses uruguaiane, tashëm punon si kamerier.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, sulmuesi që numëron 114 gola në karrierën e tij si profesionist, zbulon shkaqet që e kanë çuar në këtë pikë.

“Lashë futbollin në vitin 2006, pasi mësova se babait tim i kishin mbetur edhe 3 muaj jetë. Më pas pësova një aksident, ku pata probleme me këmbën dhe mjekët bënë art, duke mundësuar lëvizjen time sërish. Aktualisht punoj si kamarier, pasi menaxherët më kanë marrë thuajse gjithçka”, tregon Dario Silva.

Aktualisht uruguaiani 46-vjeçar jeton dhe ushtron profesionin e kamerierit në qytetin e Malagës, atje ku edhe luajti futboll në vitet 1999-2003.