Jeta e Gonzalo Higuain nuk ka qenë një fushë e mbushur me lule. Në një intervistë për mediet sulmuesi argjentinas ka treguar disa nga vështirësitë e shumta që i janë dashur të kalojë, vetëm për faktin se është një futbollist pasi njerëzit gjithmonë e gjykonin për atë që jepte në fushë. 

DRAMA – Nuk dilja nga shtëpia, nga frika se çfarë do më thoshin njerëzit në rrugë. Ky ka qenë një nga pendimet e jetës sime. Ka kaq shumë njerëz që të dëmtojnë dhe të bëjnë gjëra të këqija, pa pasur fare turp. Ne nuk vrasim askënd, thjesht luajmë sport. A na lejohet të dalim nga shtëpia? 

VETMIA – Ka shumë njerëz që mendojnë se me kaq shumë para sa fitojmë, ne kemi shumë shokë. Por, miqtë nuk mund të blihen. 14 vite më parë, unë i kaloja ditëlindjet dhe Krishtlindjet me njerëz të tjerë nga tani. Nëse dua të takoj nënën time, ajo duhet të bëjë 15 orë rrugë me avion. Normale që mund të paguaj për biletën e saj, por nuk mund ta kem këtu për 10 minuta. Njerëzit nuk i kuptojnë këto gjëra. Ata shohin vetëm çfarë bëjmë në fushë. Nëse nuk shënojmë, fillojnë menjëherë dhe na gjykojnë. 

ARRITJET – Jam në një periudhë të jetës ku gjërat nuk më lëndojnë më. Kam vuajtur. Të kritikojnë edhe nëse nuk futesh në rrjetet sociale. Kam luajtur në ligat dhe skuadrat më të mira. Kur isha 5 vjeç, nuk imagjinoja dot as 10% të kësaj që kam arritur, por sidoqoftë, ia dola. Tani, pse duhet të shqetësohem se çfarë thonë njerëzit?