Juventusi në alarm total: PSG-ja ka vënë në shënjestër Kristiano Ronaldon dhe shifrat janë ndër ato të frikshmet. Sipas asaj që shkruan "Diario Gol", gjigantët transalpinë u kanë paraqitur bardhezinjve një ofertë prej 140 milionë eurosh, për kartonin e portugezit, ndërsa për Kristianon janë gati 50 milionë euro në sezon, për tri vitet e ardhshme në klubin me seli poshtë kullës "Eifel".

Një lajm i tillë ka tronditur jo pak skuadrën kampione të Italisë, por pa dyshim edhe të gjithë futbollin italian, i cili falë mbërritjes së 34-vjeçarit portugez në gadishullin Apenin, fitoi një vizibilitet shumë herë më të madh në të gjithë botën dhe pa dyshim që me një largim të Kristiano Ronaldos, interesimi do të zbriste sërish.

Prandaj, në Torino nuk është se kanë mbetur në vendnumëro, por kanë nisur të punojnë për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit, sepse kur bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon, as që mund ta marrë dikush guximin të raportojë për një lajm të tillë, pa pasur diçka konkrete pas. Fundja, CR7 nuk është vetëm një futbollist cilësor, por edhe një aset i rëndësishëm ekonomik, duke parë sesa sponsorë thith imazhi i tij.

Juventusi, duke parë shifrat që për momentin mbeten thjesht zëra mediatike, trembet jo pak, sepse dihet që PSG-ja nuk i ka problem milionat, por paga prej 50 milionë eurosh në vit, është thuajse dyfishi i asaj që Ronaldo përfiton në Torino (31 milionë neto). Ndaj nga presidenti Andrea Anjeli e deri te drejtori sportiv, Fabio Paratiçi, të gjithë kanë bërë gati mburojat, për t’i bërë ballë mundësisë së joshjes së Ronaldos, nga oferta e PSG-së.

Dhe për ta forcuar edhe më shumë frikën e vërtetësisë së lajmit të Ronaldos te PSG-ja, është një tjetër burim që flet se edhe Miralem Pjaniç është pjesë e listës së shpenzimeve të kampionëve të Francës. Fundja, vizita e fantazistit boshnjak në Paris, menjëherë pas mbylljes së kampionatit, mund të mos ketë qenë thjesht një destinacion për disa ditë pushime, por si garniturë mund të ketë pasur edhe një takim të fshehtë me drejtuesit e PSG-së.

Dhe pikërisht teksa është biseduar për mundësinë e të gjeturit një akord me Pjaniçin, në tryezë mund të jetë hedhur dhe përpunuar edhe ideja për të mbërritur edhe te Cristiano Ronaldo, shkurt një dopiogoditje e PSG-së në radhët e Juventusit. Por se sa e vërtetë është kjo mundësi, gjithçka do të mësohet në javët në vazhdim, ndërsa specifikojmë se oferta e PSG-së për Pjaniçin nuk do të jetë më e lartë se 70 milionë, edhe pse Juventusi kërkon 100 milionë euro për boshnjakun.