Kuqezinjtë po kalojnë një moment pozitiv në kampionat dhe, nën urdhrat e Gatuzos, janë vënë në ndjekje të Interit dhe njëkohësisht janë në prag të kalimit të turit në Ligën e Europës. Qetësia e "Milanellos" është tronditur dje nga një tjetër lajm në lidhje me presidentin kinez të "Djallit".

Blerja e Milanit nga sipërmarrësi kinez Jonghong Li është në qendër të një investigimi nga “Corriere della Sera”. Në artikullin e saj, e përditshmja italiane zbulon se një nga shoqëritë e përdorura si garanci për blerjen e klubit ka qenë e falimentuar në momentin e akordit të Mr. Li me Berluskonin.

Kompania në fjalë quhet “Shenzhen Jie Ande” dhe, ndër pasuritë e saj, ka edhe aksione në "Zhuhai Zhongfu", një tjetër kompani e kuotuar në bursën e Kinës.

Shpallje falimentimi – siç konfirmon hetimi i "Corriere della Sera", më 17 janar të vitit të kaluar, “Shenzhen Jie Ande” është njohur me një urdhër të gjykatës, ku, ndër të tjera, këshilloheshin drejtuesit që duhet ta nxirrnin në ankand shoqërinë.Arsyeja e kësaj kërkese ishte mospagimi i një huaje prej 60 milionë euro Bankës së Jiangsusë.

Pikërisht me shitjen e kuotave, kompania e Jonghong Li duhet të shlyente borxhin e saj. Me dokumentet e ankandit të përgatitura, shitja e aksioneve u pezullua pasi shoqëria kishte gjetur një kreditor të ri.Kur ka kaluar thuajse një vit nga kjo histori, në 8 janarin e kaluar mësohet se banka e kantonit të Shenzenit ka kërkuar likuidimin për shkak të falimentimit të “Jie Ande”.

Kasaforta bosh – Artikulli i “Corriere” mbyllet me disa pikëpyetje, të cilat, pas gjithë kësaj historie të re, kërkojnë përgjigje. Hija e misterit mbulon përsëri pronat dhe emrin e Jonghong Li, ndërsa natyrshëm lind pyetja: “Nëse në atdhe përndiqej nga kreditorët, si ka mundësi që Jonghong Li mbyll pa asnjë problem në Itali një nga blerjet më të bujshme të historisë së futbollit italian duke prezantuar si garanci një kompani në prag shpalljeje falimentimi?”.

Minierat e fosforit, që ndryshonin pronar pa asnjë transaksion, ishin një tregues i vështirësive ekonomike të Jonghong Li, por lënia peng e një aseti, për më tepër me arka bosh, meriton shpjegime dhe sa më shpejt.