Sfida e së enjtes kundër Kukësit do të jetë shumë e veçantë për yllin e mesfushës së Volfsburgut, Renato Stefen. Futbollisti zviceran, i cili rinovoi kontratën e tij me këtë skuadë pak ditë më parë, e sheh këtë ndeshje pak ndryshe nga të tjerët dhe njeh mirë vendin tonë, pasi ka gruan shqiptare, më saktësisht me origjinë nga Kosova.

“Gruaja ime vjen nga një vend i cili është vetëm një orë larg Kukësit”, tha lojtari i cili është martuar vitin e kaluar me bukuroshën Qëndresa, me të cilën njihej prej më shumë se katër vitesh, që kur ai luante në Zvicër. Në dasëm, shumë prej të ftuarve ishin nga Kosova dhe do të kishin qenë në stadium për këtë sfidë, po të mos ishte koronavirusi.

“Gruaja ime mendon se është mëkat që ndeshja zhvillohet pa spektatorë, përndryshe disa familjarë të saj do të kishin qenë aty e unë do të duhej të kisha bërë gati 30 fenalla. Kushërinjtë e saj jetojnë atje e do të vinin”, tha Stefen, i cili gjithsesi mendon se është gjë e mirë që për momentin nuk do të ketë tifozë. “Shqipëria dhe Kosova janë goditur keq nga koronavirusi”, shpjegoi ai për mediat gjermane.

“Ndjen keqardhje, por të shohim se çfarë do të organizojë gruaja ime”, tha ai duke qeshur për vizitën në Shqipëri ku ka qenë edhe dy herë më parë. “Mua më pëlqen mentaliteti i njerëzve atje. Udhëtimi në një vend të tillë në këtë periudhë nuk është aq dramatik për mua. Do të jemi shumë të organizuar atje, siç ndodhi në Ukrainë me kombëtaren. Si lojtarë, duhet të marrim përgjegjësitë e duhura për veten. Ky do të jetë një udhëtim interesant, diçka ndryshe. Por gjëja e rëndësishme është që të kthehemi me një fitore dhe të arrijmë turin tjetër”, deklaroi lojtari i cili kishte shumë shoqëri me Taulant Xhakën që në vitet kur të dy luanin përkrah njëri-tjetrit në mesfushën e Bazelit.