Teuta u thye në Letoni me shifrat 3-0, duke e bërë gati të pamundur kualifikimin. E megjithatë, shanset nuk janë shuar tërësisht. Nëse durrsakët kërkojnë që të shkojnë më tej, duhet fillimisht të shënojnë. Dhe llogaritë nuk bëhen me pak gola, por me të paktën tre të tillë.Nëse mposhtin këtë të enjte Ventspilsin në “Niko Dovana” me të njëjtin rezultat, minimalisht do ta çonin në shtesë ndeshjen.

Ndërsa për të eliminuar direkt kundërshtarin, u duhet një fitore e pastër 4-0. Pra, të gjejnë rrjetën dhe të mos pësojnë. Skepticizmi është i madh, por historia e së shkuarës jep njëfarë shprese. Në Durrës skuadra ka dëshmuar se di t’i shënojë 3 gola, paçka se në dy, kur ia ka dalë, është penalizuar pikërisht prej një goli të marrë.

Kujtojmë fitoren në të parin takim me boshnjakët e Shiroki Brijegut.Ishte 14 korriku i 2005-ës kur në Ligën e Europës, në të njëjtin tur, fitonin me rezultatin 3-1. Dopieta e Mancakut dhe goli i Xhafajt dhanë fitoren, ndërsa planet ua prishi Abramoviç, që ngushtoi shifrat dy minuta nga fundi. Skuadra e drejtuar asokohe prej Stavri Nicës ishte aq pranë kualifikimit, por në Bosnjë gjithçka u zhbë prej humbjes 3-0.

Edhe në 2013-ën ndodhi e njëjta gjë, në atë vit ndesheshin me Dacia Kishinaun. Sërish ndeshjen e parë e luanin në shtëpi dhe fitonin me të njëjtat shifra, pra 3-1. Xhafaj shënoi të parin gol në të 29-ën dhe moldavët barazuan me Pavlovin në të 38-ën.E megjithatë, pjesa e dytë mori tjetër kthesë, pasi Dosti ktheu avantazhin në të 68-ën dhe Mancaku i vendosi “vulën” në të 73- ën.

U duk se ishin një hap larg kualifikimit, por në Moldavi nuk ditën të ruanin fitoren dhe u eliminuan pasi humbën 3-0. “Bonusi” i vetëm këtë herë krahasuar me dy rastet e mësipërme është fakti që kanë për të luajtur aktin e dytë. Pra, nëse shënojnë 3 gola dhe nuk pësojnë, shanset për të realizuar ëndrrën do të rriteshin.

Teuta ka vijuar përgatitjet. Skuadra zbriti në fushë e “Olympic Park” për të kryer një seancë që zgjati 180 minuta. Bledi Shkëmbi u ndal gjerësisht te detajet, ndërsa pret të përmirësojë atë që nuk shkoi si duhet në Letoni. Durrsakët punuan edhe për formacionin, i cili me gjasë është fiksuar që tani. Qendra e mbrojtjes ndoshta do të ketë ndryshime, pasi po provohen të gjithë lojtarët që janë pjesa e prapavijës, ndërsa në krahë mbeten Todorovski e Kuro.

Edhe mesfusha mund të ketë risi dhe mund të ndodhë që Sidibe të jetë në qendër, Aleksi në të djathtë dhe Gashi majtas. Sa i përket fazës sulmuese, duket se trajneri Shkëmbi nuk ka vendosur ende se kush do të luajë. Mund ta nisë nga minuta e parë Bushiç dhe në krahë të ketë mbështetjen e Nikaçit dhe Kallakut.

Gjithsesi, bëhet fjalë thjesht për një 11-she provizore. Lajmi i vetëm i mirë është se rikthehet Florent Avdyli. Në Letoni nuk udhëtoi dot prej vizës, por në Shqipëri nuk ka nevojë për të tillë.