Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, ka blinduar kapitenin Lionel Mesi dhe thotë se ai nuk do të largohet nga katalanasit. Pavarësisht lajmeve të shumta që kanë qarkulluar se Leo do të ikë vitin e ardhshëm, Bartomeu është optimist se ai do të rinovojë kontratën.

“Nuk do të jap detaje në lidhje me këtë temë, por Leo Mesi e ka thënë gjithmonë që do ta mbyllë karrierën te Barcelona. Jemi të fokusuar te La Liga dhe pastaj do të mendojmë për Champions-in”, ka thënë Bartomeu.

Ai gjithashtu nuk preferoi të fliste për të ardhmen e Setienit. “E di që ka gjithmonë thashetheme për trajnerët, por është e pavërtetë që Setien do të largohet. Ka besimin e të gjithëve, lojtarëve dhe drejtuesve. Po bën një punë të shkëlqyer dhe shpresoj të vazhdojë kështu deri në fund”, përfundoi numri një i Barcelonës.