“Corriere della Sera” jep një lajm sugjestionues për tifozët e Milanit. Sipas kësaj të përditshmeje italiane, drejtuesit e skuadrës kuqezi po mendojnë për kthyer në Serinë A Zlatan Ibrahimovicin, më qëllim arritjen në fund të sezonit në katër vendet e para, çka do të siguronte pjesëmarrjen sezonin e ardhshëm në Champions League.

Një informacion që shpërndahet pikërisht me rastin e 37-vjetorit të lindjes së sulmuesit suedez, i cili aktualisht është pjesë e Los Angeles Galaxy në MLS.

Edhe pse duhen edhe tre muaj që të hapet merkatoja e janarit, në shtëpinë kuqei po zien gjithnjë e më shumë ideja për rikthimin në “San Siro” të Zlatanit, me të cilin në organikë Milani ka fituar për herë të fundit titullin në Serinë A në vitin 2011.

Ideja për të tentuar Ibran mësohet se ka lindur nga kërkesa e trajnerit Gattuso për një tjetër sulmues “pykë”, i cili do të ishte një mbështetje e madhe për Gonzalo Higuainin dhe Patrick Cutronen. Qëllimi është për të shkuar sa më larg të jetë e mundur në Europa League, trofe, që nëse do të fitohet, siguron pjesëmarrjen në Champions.

Marrëveshja mes Ibrahimovicit dhe Los Angeles Galaxy përfundon në vititn 2019, por nuk përjashtohet mundësia që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për një lamtumirë më të shpejtë. Ideja e Milanit është të nënshkruajë me gjigantin suedez kontratë 6-mujore.

Në Amerikë, Ibra fiton 18 mijë euro në javë, shifër që nuk e tremb Milanin, ndërsa nga ana fizike është më se i përshtatshëm për futbollin italian, edhe pse është 37-vjeç. Në MLS me Galaxy ka arritur të shënojë 20 gola në 24 ndeshje. Suedezi do të kthehej me shumë kënaqësi në Milano, pasi e njeh mirë ambientin, por do të ishte dhe një lloj parapërgatitje për një aventurë të fundit te Malmoe në Suedi, aty ku e ka nisur karrierën, para se të varë përfundimisht këpucët në gozhdë.