Në Amsterdam duken të bindur. Matijs De Ligt do të jetë blerja e re e Juventusit. Edhe pse në mënyrë jo direkte, trajneri Ten Hag ka pranuar largimin e kapitenit të tij, duke deklaruar: “E dinim prej kohësh se diçka e tillë do të ndodhte. Nëse duhet patjetër, atëherë më mirë që ndodhi tani”.

Fjalë dorëzimi ato të teknikut, të cilave i bën jehonë edhe drejtori Mark Overmars: “Transferimi do të kryhet. Duhet thjesht të na vijnë garancitë bankare. Tek Ajaksi jemi shumë të kujdesshëm në këtë aspekt, por uroj që gjithçka të mbyllet me sukses e mundësisht sa më shpejt”.

Fjalë të ëmbla këto të palës holandeze, që lumturojnë tifozët juventinë. Matijs De Ligt do të jetë goditja e radhës e “Zonjës së Vjetër” për një operacion që duhet të kapë vlerën e 70 milionë eurove. Për sa i përket mbrojtësit, përveç vizitave mjekësore, në Torino e presin 12 milionë euro në sezon. Shumë e majme edhe për Mino Raiolën, arkitekti i këtij transferimi, që duhet të arkëtojë diçka më shumë se 11 milionë euro.

Kostoja e lartë e kësaj lëvizjeje trembi presidentin e Barcelonës Bartomeu, i cili vendosi të hiqte dorë nga dueli i milionave me Juventusin. Sa u përket bardhezinjve, gjithçka është gati për të pritur De Ligtin. Megjithëse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, orët në vijim do të jenë vendimtare për ta parë me fanellën bardhezi, madje mediat italiane etiketojnë atë të sotmen si ditën e vizitave mjekësore të holandezit, që klauzolën e shitjes në kontratën me Juven do ta ketë për 150 milionë euro.