Është ngjitur në kuotën e 7 golave, 3 më pak se shoku i tij i skuadrës, Dejvi Bregu. Lorenco Vila ka çelur siparin dhe i ka hapur rrugën fitores së skuadrës së tij me golin e shënuar në minutën e 19-të.

Apolonia dhe Tirana janë “gjahu” i preferuar për sulmuesin 22- vjeçar, pasi këtyre skuadrave u ka shënuar nga dy herë këtë sezon.Lorenco Vila shprehet i kënaqur për golin, por më shumë i lumturuar për fitoren e skuadrës dhe për shkëputjen të vetëm në kryesim.

Sipas 22- vjeçarit, kryesimi i Teutës nuk është i rastësishëm, pasi ekipi i ka hedhur hapat e matur, por nuk ka vend për eufori. Vila dëshiron që të fitojë titullin këtë sezon dhe më pas të mendojë për të ardhmen e tij.

NDESHJA – “Ka qenë një ndeshje e bukur dhe e interpretuar mirë nga ana jonë. E kishim vlerësuar Apoloninë, jo nga pozitat ku ajo ndodhet në renditje dhe zhvilluam një lojë dominuese në të gjitha aspektet. Ka qenë një fitore e merituar dhe me vlera të shumëfishta, sepse tani jemi të vetëm në vend të parë”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Teutës.

GOLI – Në lidhje me golin e shënuar, dhe se kujt ia dedikon Vila u shpreh:“Pa dyshim që goli është kënaqësi më vete, sidomos kur shoqërohet me fitoren e skuadrës, në të kundërt nuk ka vlerë. Një meritë të veçantë te goli im ka Krasniqi, me atë aksion të shkëlqyer. Këtë gol ia dedikoj familjes sime, por edhe gjithë sportdashësve të Durrësit, të cilët na përkrahin fort dhe presin shumë nga ne, duke u premtuar se nuk do t’i zhgënjejmë”.

KRYESIMI – Për Lorenco Vilën, kryesimi i Teutës nuk është rastësi. “Është ndjesi e veçantë të jesh në krye dhe mendoj se e meritojmë. Ky kampionat ka qenë shumë i fortë dhe shumë i rivalizuar, por Teuta ka qenë ekipi më konstant në lojë dhe në rezultate, ndaj nuk jemi rastësisht të parët”, vijoi 22-vjeçari.

TITULLI – Durrsakët kryesojnë në përfundim të tri fazave, por Vila pohon se te Teuta janë me këmbë në tokë dhe shpresojnë të fitojnë 9 finalet e mbetura.“Nuk bëhemi euforikë dhe s’biem në vetëkënaqësi, por qëndrojmë me këmbë në tokë. Në asnjë moment nuk e kemi humbur besimin dhe kemi ecur me hapa të matur e të sigurt. Është ende herët të flasim për titullin, pasi është edhe një fazë për t’u zhvilluar dhe rivalet janë afër me pikë. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një, duke vlerësuar në maksimum çdo kundërshtar dhe do t’i shërbejmë gjer në fund titullit kampion, pasi kemi edhe 9 finale për të luajtur”.

E ARDHMJA – Në lidhje me të ardhmen, për gazetën, Lorenco Vila u përgjigj: “Unë jam lojtar i Teutës dhe qëllimi im kryesor është që të dalim kampion. E ardhmja vjen pas përfundimit të kampionatit dhe është në dorën e klubit për ta vendosur. Unë jam profesionist dhe do të respektoj vendimin e tyre”.