Pas rikthimit nga ndërprerja si pasojë e COVID-19, futbolli nuk duket më i njëjti. Kjo për shkak se në stadium mungon atmosfera që krijojnë tifozët. Mirëpo, tashmë klubet dhe Federatat po punojnë të rikthejnë spektatorët duke qenë se impiantet e mëdha mundësojnë që të respektohen edhe distancat.

Këtë vendim ka marrë Danimarka, të cilët do lejojnë tifozët në stadium me kusht që të respektohet distanca prej një metër. Kështu, duke pasur parasysh kapacitetet e stadiumeve, ky vendim do të bëjë të mundur që klubet e mëdha të luajnë para 10-15 mijë tifozëve, çka është një numër i ngjashëm edhe me periudhën para koronavirusit.

Një lajm shumë i mirë teksa kampionati në Danimarkë do të luhet deri në fund të korrikut. Ndërkohë, Danimarka nuk është vendi i vetëm që lejon tifozët në stadium, teksa Brazili, Mali i Zi, Serbia apo Hungaria kanë menduar të evitojnë atmosferën e vakët me impiante të boshatisura.

Sakaq, në Shqipëri ende nuk ka ndonjë vendim për rikthimin e tifozëve, të cilët grumbullohen çdo javë dhe shohin ndeshjet jashtë stadiumeve, ndërkohë që në brendësinë e tyre mund të respektohej më mirë distanca dhe atmosfera të ishte më e bukur.